Rrecaj: Si shoqëri duhet të reagojmë karshi lajmeve të rreme që lansohen në opinion

29 janar 2023 | 23:55

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj ka bërë thirrje që ndaj lajmeve të rreme të lansuar nga qytetar të ndryshem duhet si shoqëri të reagojmë të gjithë.

Rrecaj këtë thirrje e ka bërë pasi që një qytetar ka thënë se Rusia e ka shpëtuar Shqipërinë pas luftës së dytë botërore nga Jugosllavia.

“Një qytetar sot paska thënë se Rusia e paska shpëtuar Shqipërinë pas luftës së dytë botërore. Nga një hezitim fillestar që të mos reagoj dhe ta bëjë të rëndësishëm një person i cili të paktën duket një injorant i madh, megjithatë në kontekstin aktual mendoj që secili nga ne është mirë që të reagojmë karshi një lajmi të rrem si ky”, ka shkruar Profesori Rrecaj.

Reagimi i plotë i Rrecajt:

Tipike e një lajmi të rremë (fake news).

Një qytetar sot paska thënë se Rusia e paska shpëtuar Shqipërinë pas luftës së dytë botërore.

Nga një hezitim fillestar që të mos reagoj dhe ta bëjë të rëndësishëm një person i cili të paktën duket një injorant i madh, megjithatë në kontekstin aktual mendoj që secili nga ne është mirë që të reagojmë karshi një lajmi të rrem si ky.

Për me tepër, ndoshta nuk kemi të bëjmë me një injorant por me një person i cili i është vënë në përkrahje luftës hibride ruse për të destabilizuar situatën në Kosovë dhe karshi proceseve të rëndësishme në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në fakt, jemi dëshmitarë të lajmeve të tilla të jenë shpërndarë edhe në kontekstin e raporteve Ukrainë-Poloni ku rusët po plasojnë informata në lidhje me kinse rolin e Ukrainës në vrasjen e polakëve gjatë luftës së dytë botërore dhe marrjen e territorit polak.

Por Polonia nuk ra në këtë grackë dhe pa hezitim i kundërshtoi zyrtarisht këto informata duke theksuar se Polonia do të jetë partner i Ukrainës dhe do të ndihmojë atë në luftën e saj çlirimtare. Kështu duhet të veprojmë edhe ne si shoqëri dhe si një qeveri.

Prandaj, për të shpjeguar kontekstin e konstatimit të thënë nga ai qytetar, po e nisi këtu me një fjalë të urtë nga poeti Michale Ventura në lidhje me rëndësinë e kontekstit për të kuptuar ngjarjet e ndryshme; ‘Pa një kontekst, një informatë është vetëm një pikë. Ajo noton në trurin tuaj me shumë pika tjera dhe nuk ka kurrfarë kuptimi.

Dijenia është informacioni brenda kontekstit… ndërlidhja e pikave.’ Në rastin e qytetarit të Kosovës është e rëndësishme të dimë kontekstin e rrethanave dhe çdo gjë do të duket në kundërshtim rrënjësor me atë çka paska thënë ai.

Rusia, në fakt Stalini, e bëri aleat Shqipërinë pasi që Jugosllavia ia kishte kthyer shpinën atij në vitin 1948 për shkak të politikave të egra dhe anti njerëzore të cilat i zbatonte ai për interesat e veta personale dhe të klikës së tij udhëheqëse. Këto politika ishin kundërshtuar edhe nga vetë lidershipi sovjetik pas vdekjes së Stalinit, kur Hrushovi zyrtarisht distancohet nga politikat e vrasjeve dhe internimeve duke kërkuar falje për ato krime.

Në fakt, Stalini fillimisht e kontrollonte Shqipërinë përmes Jugosllavisë por pas ndryshimit të rrethanave, nga premisat e qarta realpolitike të interesit tërësisht vetanak të tij, e gjen Shqipërinë aleat përmes Enver Hoxhës i cili do të mbetet besnik i stalinizmit deri në vdekjen e tij, madje edhe duke e shikuar Hrushovin si revizionist të rrugës Marksiste-Leniniste.

Për këtë arsye, Enver Hoxha ishte kthyer drejt një regjimit tjetër po aq të egër të Mao Zedung në Kinë deri sa prishi edhe marrëdhëniet me Kinën për të njëjtat arsye pas vdekjes së liderit të saj.

Përmes Shqipërisë, Rusia e mbante ndikimin e saj në detin Adriatik dhe ngushticën e Otrantos dhe i bënte presion shteteve fqinje të rajonit dhe Jugosllavisë por jo për shkak të shqiptarëve por për shkak të interesave të veta gjeopolitike.

Dhe kështu, Shqipëria u bë pishtari i fundit i stalinizmit në Evropë, ngjashëm sikurse sot regjimi ne Korenë e Veriut e cila e gllabëroi gjithë shoqërinë shqiptare e cila edhe sot e tutje i vuan pasojat e asaj periudhe.

Ky stalinizëm e kishte zhveshur atë nga kombi, nga familja dhe nga besimi. Kishim këtu një puqje të interesave ndërmjet dy personave të cilët i bashkonte epshi i pafund për pushtet. Dhe sa me staliniste që ishte Shqipëria aq më e dobët ishte Kosova brenda Jugosllavisë.

Prandaj, është përtej çfarëdo logjike të arsyeshme që të besohet se Rusia ndonjëherë ka përkrahur Shqipërinë apo shqiptarët në aspiratat e tyre strategjike përveç kur mund jetë instrumentalizuar për interesat e vetanake të tyre. Vetëm një njeri që është tepër injorant ose është bërë pjesë e instrumentalizimit mund të bëjë një konstatim të tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka…