Rreth 3 javë pritet të zgjasë procesi i rinumërimit të 1 472 vendvotimeve

13 nëntor 2019 | 16:15

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (KQZ) të mërkurën ka nisur zbatimi i vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e 1 472 vendvotimeve.

Si pasojë e këtij rinumërimi certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit do zvarritet deri në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi pritet të zgjasë rreth 3 javë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për “Kosovapress” ka deklaruar se me vendimin e PZAP-it rreth 90 për qind e vendvotimeve janë rinumëruar deri tani.

Duke marrë parasysh ecurinë e procesit të rinumërimit të dy raundeve të kaluara, Cakolli ka thënë se procesi i rinumërimit të 1 472 vendvotimeve pritet të përfundojë pas rreth 3 javësh.

“Nëse merret parasysh dinamika e procesit të rinumërimit nga procesi paraprak që është zhvilluar në dy raundet e rinumërimit, atëherë unë besoj se me dinamikën e njëjtë do t’i duhen QNR-së të paktën deri në 3 javë për të përfunduar procesi i rinumërimit për këto qendra”.

“Me gjasë, KQZ-ja do të vendosë për shtim të kapaciteteve të QNR-së, shtimin e tavolinave për masën diku 30 për qind që nënkupton që automatikisht edhe vetë procesi i rinumërimit do të shkurtohet në afat 30 për qind. Besoj që është tejet e rëndësishme që procesi i rinumërimit të mos ngutet nga cilido akterë të përfshirë, meqenëse se nëse i marrim parasysh diferencat e vogla të subjekteve që pretendojnë të jenë pjesë e Kuvendit atëherë duhet që ky proces të jetë kredibil dhe transparent, në mënyrë që të evitohet çfarëdo mundësie që edhe procesi i rinumërimit më pastaj të kontestohet”, ka thënë Cakolli.

Edhe analisti politik, Rasim Alija, ka thënë se duke marrë parasysh trendin e rinumërimit të deritanishëm në QNR, procesi i rinumërimit të 1 472 vendvotimeve do të zgjasë rreth dy javë, teksa ka shtuar se nevojitet një reformë zgjedhore me qëllim që të mos përsëriten parregullsi të tilla.

PZAP-i të hënën ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1 472 vendvotimeve pas ankesave të pranuara nga subjektet politike që gjithsej ishin 102, si dhe ta pranojë si të bazuar ankesën e parashtruar nga koalicioni Nisma-AKR-PD, që të largojë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, është takuar me ambasadorin e…