Rrezarta Krasniqi e LDK-së konfirmon se nuk do të kandidojë për deputete
Rrezarta Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të jetë kandidate për deputete.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se ka vendosur të mos jetë kandidate, por se përkushtimi ndaj kësaj partie mbetet i palëkundur.
“Pas shumë diskutimeve dhe reflektimeve personale, kam vendosur që kësaj here të mos jem pjesë e garës për kandidate për deputete.
Falënderoj pafundësisht strukturat e LDK-së në Vushtrri dhe në gjithë Kosovën për mbështetjen, respektin dhe besimin e vazhdueshëm ndër vite. Për mua, kjo ka qenë gjithmonë vlera më e madhe politike dhe njerëzore.
Si nënkryetare e degës në Vushtrri, do të vazhdoj të punoj pa u ndalur për fitoren e LDK-së, për forcimin e strukturave tona dhe për rikthimin e besimit qytetar tek vizioni rugovian që i duhet Kosovës më shumë se kurrë. Bashkë do të angazhohemi që më 7 Qershor ta rikthejmë Lidhjen Demokratike të Kosovës në krye të punëve.
Edhe pse kësaj here nuk do të jem pjesë e listës zgjedhore, përkushtimi im ndaj LDK-së mbetet i palëkundur. Besoj fuqishëm se LDK është esenciale për shtetin e Kosovës dhe do të vazhdoj të kontribuoj me të njëjtin ideal, energji dhe përgjegjësi politike.
LDK ka kaluar gjithmonë sfida të mëdha, sepse forca e saj buron nga njerëzit e mirë të këtij vendi dhe nga besimi i tyre tek ata që i qëndruan pranë Kosovës në ditët më të vështira. LDK nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pronë e interesave personale apo stacion i përkohshëm për ambicie individuale”, ka shkruar ajo.



