Rugova: Nuk është fundi i botës nëse nuk arrihet marrëveshja me LV-në

10 dhjetor 2019 | 14:26

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova, ka thënë se nuk është fundi i botës nëse nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai për “Epokën e re” ka thënë se LDK-ja nuk pranon fjalor kërcënues ndaj askujt.

“Marrëveshjet me zor nuk bëhen. Një fjalë e urtë popullore thotë: ‘Dikujt mund t’i marrësh diçka me zor, por nuk mund t’i japësh diçka me zor’. Marrëveshja është çështje politike, por nëse nuk ka marrëveshje atëherë nuk është fundi i botës. Nuk po dua të kërcënoj askënd, por nuk e pranojmë fjalorin shantazhues apo kërcënues të askujt”, ka thënë Rugova.

Rugova, ka deklaruar se në marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosjen (LV) duhet të përfshihen të gjitha pozitat që votohen nga deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje duhet ta parashohë edhe postin e presidentit të ardhshëm.

Rugova, i cili është edhe kryetar i Komunës së Istogut, ka thënë se në këtë drejtim LDK-ja është e vendosur dhe nuk do të lëshojë pe.

“Për marrëveshjen është një gjë e qartë, që po ta them kështu: çdo organ që del prej Kuvendit, kryeministri, kryetari i Kuvendit, nënkryetarët e Kuvendit dhe presidenti i shtetit, duhet të jenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit të mundshëm LDK- LV”, ka deklaruar Rugova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Clippers vazhdon të jetë ndjekësja më e afërt…