Rukiqi: Ekonomia në vend ka stagnuar

03 prill 2020 | 23:55

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka folur rreth situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, si dhe rreth aplikimit të masave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Rukiqi ka thënë se në bazë të hulumtimeve të ndryshme, mbi 50 për qind të bizneseve nuk janë fare aktive.

“Numri edhe mund të rritet. 120 mijë deri 140 mijë janë të papunë, ka sektorë të mbyllur plotësisht, e që mund të ketë implikime të cilët nuk janë në vendin e punës. Nga fillimi ka qenë një listë e veprimtarive që kanë qenë të ndaluara, si hotele, restorante, kafiteri, shërbimet estetike e deri tek transportet e udhëtarëve”, u shpreh Rukiqi.

Sipas Rukiqit, nuk ka asnjë sektorë që direkt ose indirekt nuk është prekur nga koronavirusi.

“Ka rënie drastike të konsumit të energjisë elektrike dhe të derivateve. Ekonomia ka stagnim të madh në këtë kohë dhe normalisht tash është bërë një dëm. Në bazë të indikatorëve kyç, diku dëmi mesatar ditor është deri 10 milionë euro. Kjo u konfirmua edhe nga BQK-ja sot”, u shpreh Rukiqi.

Kryetari i OEK-ut, tha se në Kosovë ka rënë fuqia blerëse, dhe tash qytetarët kanë prirje për të kursyer e për të mos blerë produkte ushqimore që kryesisht i kanë blerë në javët e para kur në Kosovë nisi përhapja e koronavirusit.

“Ky është vetëm fillimi, më vonë do të vërehen më shumë humbjet. Do të jetë një shok për ekonominë vendore, e madje edhe globale”, u shpreh Rukiqi.

Rukiqi shtoi se në Kosovë, edhe në kohë normale janë bërë improvizime me ekonominë. “Janë krijuar një sërë masash që sado pak, njerëzve që tash po qëndrojnë në shtëpi, nga ana psikologjike ua ka lehtësuar gjendjen”, u shpreh ai në “Interaktiv” të KTV-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Shqipërisë po shikon mundësinë e zgjatjes së afatit…