Rukiqi: Pas taksës 70% e bizneseve e rriten numrin e të punësuarve

22 maj 19:14

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se pas taksës 100 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, 70 për qind e bizneseve vendore kanë rritur numrin e të punësuarave prej 1 deri në 3 punëtorë.

Sipas tij, edhe pse me vështirësi bizneset kanë arritur që të gjejnë tregje të reja.

“Taksa 100 për qind ka sjellë për herë të parë eksport gati zero të Serbisë në Kosovë. Por kompanitë tona kanë bërë zëvendësime të tregjeve me sukses. Vendet dallojën varësisht prej produkteve që mungojnë nga tregjet e më hershme. Por vendet e rajonit si Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë përfituar më shumë”, tha Rukiqi.

Por efekti kryesore i taksës sipas tij, është rritja e vetëdijes së konsumatorëve për të mos i ble produktet serbe.

“Nëse 6 muaj zgjat mungesa e një produkti në treg, konsumatori e humb komunikimin me atë produkt. Taksa 100 për qind e ka zbehur interesimin e konsumatorëve për produktet nga Serbia. Edhe nëse kthehen produktet serbe në treg do ta kenë të vështirë ta rikthejnë tregun siç e kanë pasur”, tha kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi në një intervistë për emisionin “EKONOMI” në “Telegrafi.com”.

Ai ka treguar se taksa për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës ka ndikuar në rritjen e punësimit dhe prodhimit.

“Pas taksës, 70 për qind e bizneseve vendore kanë raportuar rritjen e punësimit prej 1 deri në 3 punëtorë, pjesa tjetër kanë mundur ta rrisin edhe më shumë punësimin”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara