Rusia lëshoi urdhërarrest për tre zyrtarë policorë, deklarohet Sveçla

04 mars 2024 | 12:39

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, ka reaguar pas raportimeve se Rusia ka lëshuar fletarreste ndërkombëtare për zyrtarë të njësisë elite të Policisë së Kosovës.

Kapiteni Besart Ahmeti, shef i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës është shpallur në kërkim nga Rusia. Ndaj Ahmetit, Rusia ka lëshuar një fletarrest ndërkombëtar.

Sveçla ka deklaruar të hënën para medieve se janë informuar zyrtarisht për fletarrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të njësisë speciale, Besart Ahmeti.

Sveçla ka thënë se nga Rusia nuk pritet asgjë mirë, por kjo siç ka theksuar ai nuk është brengë e tij dhe as e Ahmetit.

“Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë.  Besarti është mirë… E dimë, e kemi informatën zyrtare, por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, ka thënë Sveçla para mediave.

Fletarresti ndaj tij vjen pak muaj pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin e veriut, Milan Radojçiq dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë.

Megjithëse pretekst është marrë pjesëmarrja e tij në vitet e fundit në aksionet e policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës, përfshirë arrestimin e një shtetasi rus më 2019, për barrikadat në veri.

Ahmeti është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2001.

Rusia njihet për urdhra arresti ndaj shumë personaliteteve të cilët e kundërshtojnë regjimin e Vladimir Putinit. Rreth 100 mijë persona janë në listën e të kërkuarve nga Rusia.

Vetëm në dy vitet e fundit, pas pushtimit në Ukrainë, prokurorët rusë kanë lëshuar urdhra arresti për qindra të huaj, duke përfshirë kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe senatorin amerikan Lindsey Graham, zyrtarë të lartë të të drejtave të njeriut dhe madje edhe zëdhënësin e kompanisë së mediave sociale “Meta”.

Këto urdhërarreste përfshijnë luftëtarë të huaj që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, zyrtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, zyrtarë ukrainas dhe ligjvënës në shtetet baltike që votuan për heqjen e memorialëve sovjetike të Luftës së Dytë Botërore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka lënë jashtë Këshillit Organizativ për shënimin…