Rusia paralajmëron dëbimin e disa diplomatëve amerikanë

16 prill 2021 | 19:11

Rusia do të dëbojë 10 diplomatë amerikanë në shenjë hakmarrjeje ndaj dëbimit të një numri të ngjashëm të diplomatëve rusë nga ana e Uashingtonit.

SHBA-ja dëboi diplomatët rusë për shkak të pretendimeve për ndërhyrje në zgjedhje, sulme kibernetike dhe veprimeve tjera keqdashëse.

“Në formë të barabartë do t’i përgjigjemi kësaj mase. Do të kërkojmë që 10 diplomatë amerikanë në Rusi të largohen nga vendi”, tha ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov gjatë një konference me gazetarë së bashku me homologun e tij serb.

Ai gjithashtu tha se ndihmësi i lartë i politikës së jashtme të presidentit Vladimir Putin, Yury Ushakov, kishte rekomanduar që ambasadori amerikan, John Sullivan të kthehej në Uashington për të kryer “konsultime serioze”.

Lavrov gjithashtu theksoi se Moska po shqyrton marrjen e masave “të dhimbshme” që do të mund të shënjestronin bizneset amerikane në Rusi dhe do të vendoste sanksione ndaj tetë zyrtarëve amerikanë.

Moska gjithashtu planifikon të ndalojë aktivitetin në Rusi të fondeve amerikane dhe organizatave joqeveritare që ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit, tha ai.

Këto lëvizje të Moskës po ndodhin një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të gjera ndaj Rusisë si hakmarrje për ndërhyrjet në zgjedhje, sulmet kibernetike dhe atë që Uashingtoni e përshkroi si aktivitetet e tjera të huaja “të dëmshme” të Moskës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më 15 prill njoftoi për dëbimin e 10 diplomatëve rusë dhe sanksione kundër dhjetra individëve dhe entiteteve të tjera ruse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Kanë qenë muaj të vështirë por, më në fund, erdhi…