Sa herë e kam ftuar Ilir Shaqirin në aktivitete kulturore e kombëtare, në Malësi asnjëherë nuk ka thënë jo

19 dhjetor 2021 | 13:31

Shkruar nga: NIKOLLË NIKPRELAJ

Këngëtar, “Mjeshtër i merituar”

Me Ilir Shaqirin kam bashkëpunuar shumë herë dhe atë në sfera të ndryshme të artit muzikor. Kemi bërë disa duete të suksesshme këngësh; kemi interpretuar së bashku nëpër shumë koncerte në: Malësi, Kosovë, Shqipëri dhe shumë vende tjera nëpër Evropë, që nga viti 1990 e këndej; gjithashtu kemi interpretuar bashkë gjatë një sezoni në skenën verore “Belvedere” në Ulqin. Sa herë e kam ftuar në aktivitete kulturore e kombëtare në Malësi asnjëherë nuk ka thënë jo. Kujtoj vitin 2011, kur Malësia po bëhej gati që ta festojë 100 vjetorin e ngritjes së flamurit nga Dedë Gjon Luli. Bartës i programit artistik isha unë. Iliri erdhi një ditë para në studion time në Tuz dhe punuan 24 orë që ta finalizojmë këngën premierë “Kuqezi qenka veshë Malësia”. Të nesërmen sheshi i Tuzit ishte veshur kuqezi. Pushtetit dhe disave do t’u pengonte kjo pamje dhe u përpoqën ta minojnë me çdo kusht këtë aktivitet. Asnjëherë nuk jam ndier më në siklet. Isha në gjendje të përplasëm me çdo njërin që më dilte përpara si pengesë. Vetëm urtësia e Ilirit, fjalët e tij më qetësonin. Koncerti u mbyll me shumë sukses, por njerëzit, shumë prej tyre nuk u larguan pa na takuar. Një malësor, duke na përqafuar, na tha: Ju lumtë burra, sot e keni dridh Tuzin, besa edhe Podgoricën, ia priti një tjetër.

Të nesërmen ishim të ftuar për drekë nga piktori i madh Gjelosh Gjokaj, në shtëpinë e tij, në Milesh. Arritëm aty dhe pamë oborrin dy hektarësh të Gjeloshit që po digjej tym e flakë. Tri makina të mëdha zjarrfikëse përpiqeshin t’i shuanin flakët. Gjeloshi kishte dal në ballkon dhe na e bënte me dorë që të afroheshim. Mëzi u afruam pranë shtëpisë. Akoma pa na e dhënë dorën për mirëseardhje, Gjeloshi ngriti zërin lart, me atë buzëqeshjen e tij të rrallë, tha: sapo u hap lajmi se në kullën time po vijnë mysafir Iliri e Nikolla, u kall ktuhja…

Bashkëpunimi me Ilirin bart një përgjegjësi të madhe, pasi që ai është shumë serioz në punën që bënë, studioz dhe kërkues! Po aq sa është kënaqësi e veçantë, njëkohësisht është edhe përgjegjësi të gjendesh pranë tij, të interpretosh përkrah tij, përkrah një artisti me këto përmasa.

Ai ka një zë që të rrëmben, një shtrirje vokale prej 3 oktavash, me një thellësi dhe timbër shumë të veçantë!

Iliri nuk ndalet së kërkuari dhe eksperimentuari drejt më të bukurës në art!

Sa herë që gjendem krah tij, sa herë që bashkëpunoj me të, ndjej një siguri të madhe, pasi që ai është shumë këmbëngulës për të arritur maksimumin e mundshëm në objektivat e përcaktuara artistike!

16 tetor, 2020

Tuz

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moderatorja, Bora Zemani ka qenë në krye të mediave rozë…