Sabri Kiçmari i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje

16 gusht 2019 | 20:12

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Australi e Zelandë të Re, Sabri Kiçmari, është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajmin e ka bërë me dije kryetari i kësaj partie Albin Kurti.

Shkrimi i plotë i Kurtit në llogarinë e vet në “Facebook”:

Sabri Kiçmari ka qenë gjithnjë në Lëvizje. Prej sot është edhe në VETËVENDOSJE!. Ky është lajm shumë i mirë për subjektin tonë, shtetin tonë dhe kombin tonë. Për më shumë se një dekadë veprimtar i çështjes kombëtare para se të bëhet përfaqësues politik i UÇK-së. Edhe plot një dekadë tjetër diplomat i dalluar i Republikës së Kosovës, ambasador në Austri, Australi e Zelandë të Re. Ndërkohë autor i pesë librave, dy prej tyre në gjermanisht, dhe i një dyzine artikujsh nëpër revista të ndryshme shkencore.
Sabri Kiçmari është profesor në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Studimet bazë (Grundstudium) i ka mbaruar në Universitetin e Ruhrit në Bochum (Gjermani), Magjistraturën (Magister Artium) në Fakultetin Filozofik të Universitetit Rheinische Friedrich-Wilhelm në Bon (Gjermani), kurse Disertacionin (Ph.D.) në Institutin për Shkencë Politike dhe Sociologji po ashtu të Universitetit Rheinische Friedrich-Ëilhelm në Bon. Është fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, sidomos në Gjermani dhe Austri.
Sabriu është me prejardhje nga Llapi, shkollimin fillor e ka mbaruar në Lladoc, Sfeçël, Podujevë dhe Llapashticë, ndërkaq shkollimin e mesëm në Podujevë dhe Prishtinë.
Sot jemi forcuar dukshëm.
Nesër do të fitojmë bindshëm. Sepse pasnesër do të qeverisim mirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fazën e 1/16 të finales së Ligës së Kampionëve,…