Sadik Zeqiri: E pashë Ukshin Hotin nga dritaret e burgut teksa e “liruan”

16 maj 2026 | 15:53

Më 16 maj 1999, një ditë e diel, kur lufta kishte marrë përmasa të mëdha në gjithë Kosovën, policia serbe dhe gardianët e nxorën Ukshin Hotin nga burgu i Dubravës, me arsyetimin e mëpastajmë për, kinse, “lirimin” e tij. Por heroi i mendimit shqiptar, siç e kishte quajtur shkrimtari Ismail Kadare, dhe heroi ynë shpirtëror brenda e jashtë grilave, Ukshin Hoti, nuk mbërriti kurrë në shtëpi, pranë fëmijëve dhe familjes së tij.

Ai ishte dënuar më 17 maj 1994 me pesë vjet burgim, por edhe pse e përfundoi dënimin burrërisht, fati i tij mbetet ende i panjohur. Sigurisht, diçka dinë ata që e nxorën nga burgu dhe ata që e përcollën përtej dyerve të tij.

Duke evokuar sot kujtimet nga burgosja dhe “lirimi” i tij, para humbjes së gjurmëve, fati i Ukshin Hotit, njërit prej personaliteteve më të mëdha shqiptare, mbetet padyshim një nga tragjeditë më të rënda të të burgosurve shqiptarë të Kosovës. Më 16 maj 1999, ai përfundoi dënimin e shqiptuar nga regjimi fashist serb dhe duhej të ishte i lirë. Teksa po dilte nga pavijoni B i burgut, ai iu drejtua shokëve të tij me fjalët: “Shokë, shihemi në Kosovën e lirë.”

Megjithatë, pas daljes nga burgu, ideologu shqiptar, i shoqëruar nga dy gardianë drejt derës kryesore të burgut të Dubravës, nuk u pa më askund dhe nga askush.

Ukshin Hoti u “lirua” në një ditë krejtësisht të pazakontë për lirimin e të burgosurve. Nuk kishte ndodhur që një i burgosur, pasi përfundonte dënimin, të lirohej gjatë fundjavës apo në ditë feste. Lirimi bëhej zakonisht gjatë ditëve të punës, madje një ditë para përfundimit të dënimit, por asnjëherë pas tij.

Edhe unë po vuaja dënimin në burgun e Dubravës, por jo në pavijonin B ku ndodhej Ukshin Hoti. Isha në pavijonin C, dritaret e të cilit shikonin kah dera kryesore e burgut. Natyrisht, edhe brenda burgut kërkonim pak liri. Pak horizonte i shijonim herë pas here nga dritaret e qelive, duke hedhur sytë drejt oborrit dhe qiellit.

Më 16 maj isha duke qëndruar pranë dritares. Dhe kurrë nuk më hiqet nga mendja figura e atij burri me ecje të drejtë e dinjitoze, që po ecte nga pavijoni B drejt daljes kryesore, i shoqëruar nga dy gardianë. Me shokët u interesuam të dinim kush ishte ai. Vetëm më vonë, pas hatasë së madhe që ndodhi në burgun e Dubravës më 19–24 maj, e kuptuam se ai burrë kishte qenë Ukshin Hoti.

Po atë ditë me Hotin u liruan edhe dy të burgosur të tjerë. Njëri prej tyre ishte nga Juniku dhe mbahej në pavijonin C. Kur gardiani erdhi për ta nxjerrë jashtë, ai e pyeti: “Me çka do të shkoj në shtëpi?”

Gardiani iu përgjigj: “Deri në Pejë jemi përgjegjës për ju. Pastaj shkoni kah të doni.”

Këtë bisedë e dëgjuam përmes dritareve të hapura të dhomave tona. Trupi i të “liruarit” nga Juniku u gjet në vitin 2004 në varrezat e Lugut të Baranit, në Pejë. Ndërsa profesor Ukshin Hoti ende nuk është gjetur askund.

Gjatë atyre ditëve, 19–24 maj 1999, në hapësirat e burgut të Dubravës, nga policë, gardianë dhe të burgosur serbë, u vranë 116 civilë shqiptarë të burgosur dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.

Më dhemb shpirti që, sa herë afrohet përvjetori i masakrës së Dubravës, gjatë gjithë këtyre viteve përkujtojmë mbijetesën tonë dhe “lirimin” e bacës Ukë, njeriut të cilit do të kisha dashur t’ia shtrëngoja dorën e ta përqafoja, por që fati ma dha vetëm mundësinë ta shihja nga dritarja e qelisë sime.

Lavdi të gjithë të rënëve për liri!
Lavdi dhe përkujtim i përjetshëm për Ukshin Hotin!


Sadik Zeqiri, i
sh-i burgosur politik dhe i mbijetuar i Masakrës së Dubravës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha  (Thikat mbi harta” që Kurti ia atribuonte…