Samiti BE – Ballkani Perëndimor nis nesër, merr pjesë edhe Kosova

05 maj 2020 | 08:36

Samiti BE – Ballkani Perëndimor, i cili qe shtyrë për 6 maj 2020 për shkak të pandemisë COVID-19, do të zhvillohet nëpërmjet një videokonference.

Nëpërmjet videokonferencës partnerët do të flasin për rëndësinë e marrëdhënieve BE – Ballkani Perëndimor. Po ashtu, me këtë samit do të ofrohet mundësi për ta shfaqur solidaritetin dhe bashkëpunimin në këtë kohë krize. Pjesëmarrësit në takim do të shkëmbejnë mendime mbi fazën e re të bashkëpunimit të ngushtë për ta trajtuar ndikimin e fuqishëm socio-ekonomik të krizës së COVID-19, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si dhe mënyrën e menaxhimit më të mirë të sfidave të sigurisë.

Partnerët në rajon kanë kontribuar për t’i ndihmuar shtetet anëtare të BE-së dhe Bashkimi Evropian vendosi që më 29 prill të ofrojë, së bashku me Bankën Evropiane të Investimeve, një paketë me vlerë mbi 3.3 miliardë euro për ta ndihmuar Ballkanin Perëndimor për ta përballuar krizën e virusit Korona. Kjo paketë synon t’i mbështesë masat shëndetësore urgjente si dhe të ndihmojë në rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike prej vështirësive të shkaktuara si rezultat i pandemisë COVID-19.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja ka “përgjegjësi të veçantë për t’i ndihmuar në këtë pandemi partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, pasi e ardhmja e tyre është qartësisht në Bashkimin Evropian”.

Takimin do ta udhëheqë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Ai do ta përfaqësojë BE-në së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në samitin BE – Ballkani Perëndimor do të marrin pjesë krerët e shteteve ose qeverive të vendeve anëtare të BE-së, udhëheqësit e gjashtë vendet partnere në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Kosova.

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Virusi Korona mund të përhapet “si zjarri i egër” veçanërisht…