Saraçini: Bashkërisht e përmbyllëm suksesshëm edicionin

29 qershor 2020 | 23:46

Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, u është drejtuar sportdashësve në Kosovë me rastin e përfundimit të edicionit 2019/2020 në hendboll.

Saraçini ka thënë se sezoni është përmbyllur në mënyrë të suksesshme ani pse pandemia ka sjellë mjaft probleme.

“Besa Famgas, Prishtina, Vushtrria, Istogu, por edhe të gjitha klubet, meritojnë respekt e falënderime për punën dhe angazhimin gjatë edicionit të vështirë. Të tillë e bëri pandemia, që po ka ndikim global edhe në sportin tonë. Por me angazhim të përbashkët kemi bërë një përmbyllje të suksesshme të edicionit. Vërtet sfidat na forcojnë dhe na dërgojnë në nivel më të lartë. Kështu do të jetë edhe këtë herë. Dorëzimi, tërheqja, nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë opsion për ne”, ka thënë Saraçini, i cili ka vlerësuar se Besa Famgas ka fituar me mërit titullin dhe Kupën në konkurrencën e meshkujve, kurse me meritë, sipas tij, triumfuan edhe Ferizaj në kampionat dhe Vushtrria në Kupën.

“U bëmë model me vazhdim të garave, me krijimin e Task-Forcës për përballje me Covid-19, për kontrollim shëndetësor të pjesëmarrësve dhe për përfundim shembullor të edicionit. Besa Famgas fitoi titullin dhe Kupën te hendbollistët, Ferizaj fitoi titullin te hendbollistet, kurse Kupën e fitoi Vushtrria. U ndanë trofe edhe për grupmoshat. Më e rëndësishmja, kampanja përfundoi pa probleme dhe më të mirët u shpallën në bazë të meritave sportive. E lehtë nuk ishte. Si gjithnjë jemi sfiduar. Për shembull një grup shikuesish të pandërgjegjshëm na krijuan telashe në ditën e finaleve. Falë Policisë së Kosovës dhe maturisë sonë u kontrollua gjendja”, ka deklaruar Saraçini.

Në fund, kryetari i FHK-së falënderoi policinë për kontributin, po ashtu edhe drejtuesit e institucioneve për madhështimin e finaleve me praninë e tyre. “Falënderimi më i madh shkon për klubet e lojtarët që edhe një herë dëshmuan përkushtimin për avancim të përbashkët. Angazhime të tjera na presin, me forca të përbashkëta drejt sukseseve të reja”, ka shtuar Saraçini.

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,…