Sarrazin: Kosova ka të drejtë për targat, por nuk duam trazira

27 tetor 2022 | 08:32

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se Kosova duhet të jetë parimore, por edhe të tregojë fleksibilitet për çështjen e targave.

Sarrazin tha se Kosova ka të drejtë për targat, por ajo nuk duhet të ndërmarrë veprime që shkaktojnë trazirë.

Ai theksoi se është në interes të të gjithëve që fundi i muajit të mos përfundojë me incidente ose me probleme, pak ditë përpara nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit.

Në samitin që pritet të zhvillohet më 3 nëntor në Berlin, me mikpritës kancelarin Scholz, priten të nënshkruhen një numër marrëveshjesh për lehtësim të bashkëpunimit në rajon.

Gjermani shtoi se vendi i tij është avokuesi më i madh për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe se po punon me partnerët evropianë për ta përmbyllur këtë proces.

Manuel Sarrazin për RTV 21 e konfirmoi ekzistimin e propozimit gjermano-francez për marrëveshjen Kosovë – Serbi dhe e cilësoi atë si një dokument i rëndësishëm dhe i dobishëm.

Gjatë ditës së djeshme, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u ka bërë sërish thirrje autoriteteve në Prishtinë që ta pranojnë kërkesën për ta shtyrë për 10 muaj afatin për targat.

Escobar tha se shpreson që autoritetet e Kosovës ta shtyjnë 10 muaj zbatimin e urdhrit për targat e makinave të banorëve serbë në veri të Kosovës.

“Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special Miroslav Lajçak”, tha Escobar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 8 tetor, një grup rekrutësh të mobilizuar nga rajoni…