SBAShK-u: Këtë javë tregojmë nëse ndalet greva

28 shtator 18:00

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) këtë javë pritet të merr vendimin për pezullimin ose jo të grevës në arsim.

Kjo sindikatë sot përmes një shkrese ka kërkuar mendimin e anëtarësisë së saj për pezullimin e grevës deri në janar, dhe fillimin e procesit mësimor nga data 3 tetor.

Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Grevist të SBAShK-ut, ka thënë se vendimi për pezullimin e grevës do të merret në konsultim me anëtarësinë.

“Ne nuk e kemi marrë vendimin, por vetëm kemi shkruar letrën, sepse në grevë kemi hyrë më kërkesën e anëtarësisë. Ka qenë kërkesë që çdo anëtar i sindikatës ka firmosur në një formular që me kërkesën tonë do të vazhdojmë grevën deri në realizim të kërkesave që janë publike. Tash ka ardhur koha që këshilli i grevistëve ka të drejtë në bazë të ligjit mbi grevën të analizojë grevën. Në rast se një grevë në kohë të gjatë nuk i prodhon efektet, të cilat ne kërkojmë, atëherë duhet konsultuar anëtarësia se çfarë veprime të ndërmarrin më tutje”, tha ai.

Kushaj tha se gjatë fundjavës do të dalin me vendimin mbi hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren mbi grevën, e cila ka nisur më 25 gusht.

“Ne mendojmë që gjatë vikendit do të prononcohemi edhe për media dhe për vendimin që do ta ndërmerr këshilli grevist në shkallë vendi. Në këtë rast ju e dini se edhe punëtorët e administratës publike janë në grevë dhe ata janë këshill qendror i grevës, të cilët e kanë shpallë grevën dhe ata do ta mbyllin grevën varësisht nga kërkesat që do të vijnë prej anëtarësisë sindikale”, tha ai.

Kryetari i Këshillit Grevist në SBAShK më tej shtoi se do të zhvillojnë një takim online me anëtarësinë për të biseduar rreth kësaj çështjeje më qëllim që të bëhet edhe plani operativ për ditët e ardhshme.

Qeveria e Kosovës thotë se Ligji për pagat, që parasheh rritjen e tyre, do të dalë në miratim së shpejti. Para disa javësh, ajo ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj, por SBASHK-u ka hedhur poshtë ofertën.

Grevistët kërkojnë mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga dhe grevën e kanë thyer vetëm disa shkolla dhe mësimdhënës që në mënyrë individuale kanë nisur t’i mbajnë orët.

Ndryshe, paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, ndërsa me ligjin e ri pritet të arrijë në 620 euro. Ndërsa mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe kjo shumë pritet të rritet në 696 euro.

Projektligji për paga, nga data 15 shtator deri më 6 tetor, është në procedurat e konsultimeve publike. Ai më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ligji hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sigal Prishtina ka pësuar humbje nga Kalev/Cramo me rezultat 98:61…