SBASHK-u, qeverisë: Mjaft na goditi Kushtetuesja, boll më!

01 prill 2020 | 10:02

Anëtarët e SBASHK-ut përmes Avokatit të Popullit i ishin drejtuar me mijëra nënshkrime Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që ta heqë pezullimin e Ligjit të pagave. SBASHK-u zyrtarisht mori pohimin nga Kushtetuesja se kjo kërkesë ka arritur te ta dhe do të shqyrtohet. Mirëpo, në vend të kësaj, Kushtetuesja mori një vendim, duke e shtuar kohën e pezullimit edhe për tre muaj. Me këtë veprim Kushtetuesja shtoi zhgënjimin dhe pakënaqësitë te punëtorët e arsimit, por jo vetëm tek ata.

“Kushtetuesja, mbase e ndikuar nga situata aktuale, veproi pa të drejtë. Edhe sikur Ligji i pagave të kishte qindra faqe tekst dhe mijëra nene do të duhej shqyrtuar e do të duhej dhënë vendim meritor që ky Ligj të fillojë së implementuari sepse mijëra shërbyes civilë e profesionalë janë duke pritur që nga dhjetori i vitit të kaluar këtë gjë. Nuk është mirë që të luhet me ndjenjat e tyre. Kushtetuesja dhe gjithë të tjerët le ta dinë se punëtorët e arsimit janë të zhgënjyer, por ata në këtë situatë të rëndë për Kosovën dhe gjithë botën do ta vazhdojnë përkushtimin duke u angazhuar pa u ndalur në zhvillimin e procesit arsimor nga larg. Ata gjatë gjithë kohës po komunikojnë me nxënësit dhe prindërit duke realizuar kështu në përpikëri obligimet, edhe pse në rrethana të reja e shumë të vështirësuara. Punëtorët e arsimit do të vazhdojnë përkushtimin duke dhënë kontribut të çmuar në realizimin e procesit arsimor e edukativ me lutjen që kjo situatë e rëndë të kalojë sa më parë e pastaj në kohë dhe rrethana të reja do të veprohet sipas zërit të anëtarësisë”, është thënë në reagimin e SBASHK-ut.

SBASHK-u, po ashtu, ka reaguar edhe ndaj “një ideje të keqe e që paska shkuar edhe deri në kabinetin e Ministrit të Financave, që sektorit publik t’i ulen pagat për 50 % e ato mjete t’i dedikohen sektorit privat. Qeveria është mirë të gjejë mundësi e mjete për ta ndihmuar sektorin privat, por jo duke goditur rënd e pa të drejtë të punësuarit në arsim e në sektorët e tjerë. Punëtorët e arsimit me të drejtë kanë pritur që të marrin paga bazuar në Ligjin e pagave dhe janë mjaft të zhgënjyer me veprimin e ri e të keq të Kushtetueses dhe ideja absurde për prekje në pagat e tyre është e tmerrshme dhe do të krijonte situatë të rëndë e me plot pasoja. Punëtorët e arsimit janë duke punuar me zell e përkushtim edhe tani në këto rrethana, prandaj askush nuk ka të drejtë të prekë në pagat e tyre. Mjaft na dha goditje të rëndë Kushtetuesja. Nuk kemi nevojë për provokime e goditje të reja sepse edhe durimi ynë ka kufi e kushte të vështirësuara dhe këtë e dinë MASHTI, nxënësit e prindërit”, është thënë në komunikatën e SBASHK-ut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Takimet e presidentit Hashim Thaçi me liderët e partive politike…