Së shpejti do të themelohet liga mbarëshqiptare e basketbollit

20 gusht 2020 | 18:30

Basketbolli shqiptar së shpejti do ta ketë ligën mbarëkombëtare. Për këtë gjë, të enjten ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, i kryesuar nga Arben Fetahu. Në këtë takim koordinues u diskutua për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për themelimin e Ligës Mbarëkombëtare Shqiptare të Basketbollit, e cila mundëson zhvillimin e garave në mes të klubeve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetari Fetahu e njoftoi ministren Dumoshi se orientimisht në pjesën e parë të shtatorit marrëveshja pritet të nënshkruhet në Tiranë mes dy federatave në praninë e ministreve homologe. Kryetari i FBK-së e informoi ministren edhe për problemet me të cilat po ballafaqohen basketbollistët dhe federata për shkak të pandemisë. “Po presin kur autoritetet do ta lejojnë zhvillimin e stërvitjeve dhe garave nëpër palestra dhe menjëherë t’i fillojnë përgatitjet për sezonin e ri”, ka thënë Fetahu.

Nga ana e saj, ministrja Dumoshi u shpreh se mirëpret nismën për themelimin e Ligës Mbarëkombëtare dhe MKRS-ja është e gatshme që të mbështesë këtë ligë në bazë të kapaciteteve të mundshme të saj. “Në koordinim me autoritetet përgjegjëse shtetërore, do të angazhohet që sa më shpejt që është e mundur të lejohet nisja e garave për sezonin e ri në basketboll. Ministrja i informoi drejtuesit e FBK-së edhe për mbështetjen që do ta kenë basketbollistët nga fondi emergjent i MKRS-së, ku ata pritet të përfitojnë drejtpërsëdrejti”, ka thënë ministrja Dumoshi.

(V.Z / Epoka e re) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Louis Saha ka thënë se Kylian Mbappe e ka të…