Seanca për ‘21 janarin’, avokati i familjarëve: Strazburgu tha se ishte vrasje shtetërore

12 mars 2024 | 15:43

Në ambientet e Gjykatës së Lartë në Tiranë ka nisur seanca gjyqësore në lidhje me “21 janarin”.

Ky institucion pritet të vendosë në lidhje me kalimin në SPAK ose jo të kësaj çështjeje.

Të pranishëm në seancë janë Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës dhe Rajmonda Nika e veja e Aleks Nikës, të cilët shoqërohen dhe nga avokati i tyre, Idajet Beqiri.

Në fjalën e tij drejtuar gjykatës, avokati Beqiri ka thënë se kallëzimi i bërë nga familjarët e Aleks Nikës ka emra konkretë, ku përfshihen ish-zyrtarë të lartë që janë kompetencë e SPAK-ut. Ndaj ai ka apeluar që çështja t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme.

“Të kalohet kjo çështje në SPAK. Kallëzimi jonë penal është për persona konkret, janë persona që janë në kompetencë të gjykohen nga GjKKO dhe subjekte hetimi të SPAK. Prokuroria e Tiranës nuk është kompetente për këtë çështje. SPAK ka bërë rolin e të paditurit për kallëzimin tonë. SPAK e hoqi nga vetja kallëzimin e familjarëve me një shkresë përcjellëse. Ka qenë një krim i dukshëm, ju kemi dorëzuar edhe vendimin e gjykatës së Strazburgut. Strazburgu thotë vrasje shtetërore, përmend edhe ish-kryeministrin. E shikon Strazburgu por jo SPAK, nuk është gardisti, ushtari, që bën dhe organizon një krim shtetëror. SPAK ka hapur një precedentë të rrezikshëm”, ka thënë avokati Idajet Beqiri në seancë.

Kujtojmë se më 16 shkurt 2023 familjarët e viktimave të 21 janarit kanë paraqitur kallëzim penal ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ndrea Prendit dhe Agim Llupos.

Sakaq prokurori i SPAK-ut vendosi dërgimin e kallëzimit për kompetence lëndore në prokurorinë e Tiranës. Ndaj vendimit të SPAK-ut kanë paraqitur ankim familjaret e viktimave, duke e kundërshtuar atë. Më 29 mars 2023 GJKKO ka vendosur mospranimin e ankimit. Ndërkohë, më 22 qershor 2023 Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë ne fuqi vendimin e GJKKO-së që kishte rrëzuar ankimin e familjarëve. /euronews.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atletico Madrid po përgatitet të presë Interin për ndeshjen e…