Selimi: Ardhjet nga Shqipëria e kanë pasuruar futbollin e Kosovës

10 janar 2018 | 11:15

Trajneri Musa Selimi ka vlerësuar se futbolli i Kosovës me hapa të shpejtë është duke shkuar përpara. “Kemi ngritje të cilësisë në futboll. Kjo dëshmohet me ardhjen e trajnerëve dhe të lojtarëve nga Shqipëria. Këto ardhje e kanë zbukuruar futbollin tonë dhe e kanë bërë edhe më rivalizues”, ka thënë Selimi për “Epokën e re”.

Profesori i Edukatës Fizike dhe trajneri i njohur i futbollit, Musa Selimi, e ka vlerësuar pozitive ardhjen e trajnerëve dhe futbollistëve nga Shqipëria në futbollin e Kosovës. Sipas Selimit, kjo tregon se ka ngritje të cilësisë në elitën e futbollit të Kosovës. “Kemi ngritje të cilësisë në futboll dhe kjo dëshmohet edhe me ardhjen e trajnerëve dhe të lojtarëve nga Shqipëria. Këto ardhje e kanë zbukuruar futbollin tonë dhe e kanë bërë edhe më rivalizues”, ka thënë Selimi për “Epokën e re”.

“Dalja në garat ndërkombëtare e ka bërë futbollin e Kosovës edhe më atraktiv, çfarë dëshmohet edhe me pjesëmarrjen e shumë skuadrave në garën për titull. Mund të themi se ky kampionat është ndër më të mirët pasluftës në Kosovë”, ka deklaruar Selimi.

I pari i Fakultetit të Edukatës Fizike dhe Sportit ka apeluar që kryesitë e klubeve të jenë sa më syçelë dhe të mendojnë edhe për tregun vendor, pasi shumë trajnerë të dëshmuar janë të paangazhuar në ndonjë skuadër. “Puna e trajnerëve në Kosovë ka qenë e madhe ndër vite. Ata kanë punuar në kushte të vështira dhe janë meritorë për ngritjen e cilësisë në futboll. Cilësitë e shumë trajnerëve që sot janë të paangazhuar nuk diskutohen, prandaj do të ishte mirë që kryesitë e klubeve të jenë më syhapur në këtë drejtim”, ka shtuar ai.

Në mesin e trajnerëve që nuk janë të angazhuar në detyrën e trajnerit janë Hysni Magjuni, Afrim Tovërlani, Bylbyl Sokoli, Gani Sejdiu, Bekim Shotani, Arsim Thaqi, Milaim Zuzaku, Bekim Shotani, Valdet Shoshi etj. Ish-trajneri i Feronikelit, Dritës, Gjilanit, KEK-ut dhe Ramiz Sadikut e ka konfirmuar se ka pasur oferta nga skuadra të ndryshme, por angazhimet në fakultet ia pamundësojnë marrjen e ndonjë skuadre. “Momentalisht jam shumë i zënë me punë të tjera dhe e kam të pamundur të pranoj ndonjë ofertë, ani pse ofertat asnjëherë nuk kanë munguar”, ka deklaruar Selimi.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësiti i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, ka…