Selimi: Mungesa e transparencës në dialog është sinjal i keq për vendin
Shefi i Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në një prononcim për “Ekonomia Online” ka thënë se ende pa rifilluar mirë dialogu me Serbinë është vërejtur mungesë e transparencës.
Sipas tij, kjo do t’i sjellë vetëm dëme vendit.
“Gjëja fundamentale ka qenë në këtë proces transparenca, të cilën nuk e kanë respektuar. Duke parë qysh në fillim që nuk është respektuar transparenca atëherë ne jo vetëm që dyshojmë, por tash më jemi të sigurt që pikërisht mungesa e transparencës neve na tregon që diçka e mirë nuk po vjen Kosovës”, ka thënë ai.
Selimi ka shtuar se është ironi të kërkohet njohje reciproke, kur sipas tij, me heqjen e reciprocitet Kosovës i është krijuar disfavor qysh në start.
“Është pak ironike të kërkohet njohje reciproke duke hequr dorë paraprakisht nga reciprociteti me Serbinë, pra duke i krijuar vetës disfavor qysh në start e aq më tepër kur është kërkesë e kundërshtarit, pra ne nuk mund të flasim për njohje reciproke”, ka deklaruar Selimi.



