Selimi: Themelimi i Gjykatës Komerciale fuqizon sistemin e drejtësisë

13 gusht 2020 | 14:20

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, është takuar të enjten me përfaqësues të Odave ekonomike në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, ministri Selimi dhe përfaqësuesit e Odave, diskutuan për rimëkëmbjen ekonomike gjatë dhe pas pandemisë Covid-19, si dhe për themelimin e Gjykatës Komerciale, me ç ‘rast u theksua rëndësia që kjo gjykatë do të sjellë për çdo biznes dhe investitor në Kosovë. Kështu është thënë në komunikatën për medie të dërguar  nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas kësaj komunikate, ministri Selimi vuri në dukje se Ministria e Drejtësisë së bashku me partnerët strategjik, ShBA-në, ka ndërmarr iniciativë për të finalizuar ligjin për Gjykatën Komerciale që sipas tij do të trajtojë çështjet e kontesteve komerciale.

“Çështja e Gjykatës Komerciale ka dal nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe është parë si shumë e nevojshme për t’iu qasur në mënyrë më serioze kontesteve komerciale, pra kontesteve në ekonomi. Artikulimi në një shtyllë i çështjeve komerciale i zgjidhë ato me ekspertizë, ulë riskun  e të bërit biznes, riskun e kontesteve, riskun e fitimit sepse mbrohet  me një gjykatë e cila merret ekskluzivisht me këtë çështje”, deklaroi ministri Selimi.

Sipas ministrit Selimi, themelimi i Gjykatës Komerciale fuqizon sistemin e drejtësisë sepse duke zgjidhur kontestet në ekonomi, vendi ynë ofron siguri për çdo biznes dhe investitor në Kosovë.

“Përfitim kryesor i themelimit të Gjykatës është se të gjitha kontestet ndërmjet bizneseve, por edhe të gjithë afaristët do të kenë një adresë. Kërkesë të veçantë kam pasur që të ekzistojë një panel i veçantë për investime direkte të huaja, në mënyrë që kjo të ofrojë siguri për investitorët e jashtëm”, u shpreh Selimi.

Ndërsa, përfaqësuesit e Odave, falënderuan ministrin Selimi për bashkëpunim, duke vlerësuar të rëndësishëm themelimin sa më të shpejtë të Gjykatës Komerciale.

(A.M /Epoka e re)

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një familje shqiptare është përfshirë nga një aksident tragjik në…