Serbia e quan presion brutal ndaj serbëve vendimin e KOSTT-it

24 nëntor 2021 | 10:36

Ministrja e Minierave dhe Energjisë Zorana Mihajloviq ka vlerësuar sot se vendimi i Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për të mos i mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike në katër komuna të Kosovës, ku shumica janë serbë, është presioni më brutal ndaj popullatës serbe.

Mihajloviq ka thënë në deklaratë se “ky është një tjetër në vargun e gënjeshtrave dhe komplotit të organizuar kundër popullit serb në Kosovë”, njoftoi kabineti i saj.

“Borxhi prej 17 milionë eurosh që ka raportuar KOSTT deri në dhjetor 2020 është gënjeshtër, sepse deri në dhjetor furnizimi i veriut ka shkuar direkt nga Serbia”, tha Mihajloviq.

Ajo shtoi se KOSTT është operatori i sistemit të transmisionit, dhe se dërgimi tek përdoruesit fundor bëhet nga distributori. Sipas saj, nuk ka asnjë dëshmi se bëhet fjalë për konsum në veri të Kosovës.

“KOSTT ka insistuar që të jetë operator i sistemit të transmisionit dhe në këtë mënyrë tregon paaftësinë e tij për ta bërë një gjë të tillë”, tha ajo.

Sipas Mihajloviqit, KOSTT-i është “certifikuar fals” në pronën e Serbisë dhe nuk ka asnjë bazë për shfrytëzimin e tij.

“Po ashtu duhet thënë se Prishtina ia ka shitur sistemin e shpërndarjes operatorit turk, më saktë rrjetin që është në pronësi të Serbisë”, tha ajo.

Ajo ka deklaruar se “autoritetet në Prishtinë nuk kanë lejuar as punën e furnitorëve dhe distributorëve serbë”, gjë që, siç ka theksuar ajo, ka shkelur drejtpërdrejt Marrëveshjen e Brukselit.

Ajo theksoi se “qëllimi është që serbët të mbeten pa rrymë dhe në borxhe”, dhe se, siç vlerësoi ajo, “duhet t’u bëhet presion dhe t’u thuhet edhe një herë se nuk janë të lumtur të shihen në gjendjen e tyre false”.

“Prishtina po sillet në mënyrë jokonstruktive në tryezën e bisedimeve në Bruksel dhe di vetëm të shantazhojë dhe zgjidhja e problemeve më të rëndësishme për jetën normale të qytetarëve është krejtësisht e parëndësishme për të”, tha ajo.

Ajo po ashtu ka thënë se “tash është e qartë pse është e nevojshme që sa më parë të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, në mënyrë që serbët në Kosovë të jetojnë normalisht”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës po heton një rast në Ferizaj ku…