Shabani: Do të jetë vështirë, por synojmë vendin e parë në grup

26 maj 2021 | 18:10

Selektori Agron Shabani ka filluar punën me hendbolliste për ndeshjet eliminatore për “Euro 2022”.

Kosova bën pjesë në grupin A të fazës së parë kualifikuese. Ndeshjet me Qipron, Luksemburgun dhe Portugalinë luhen prej 3 deri më 5 qershor në Prishtinë, derisa selektori Shabani ka konfirmuar se “dardanet” synojnë pozitën e parë që siguron avancimin tutje. Ai e ka pranuar se do të jetë shumë vështirë, kryesisht për shkak të mungesave të rëndësishme dhe nivelit të lartë të Portugalisë.

“Kemi ftuar 19 lojtare, marrë për bazë që janë tri ndeshje kualifikuese. Synimi ynë është që të mundohemi, ta japim maksimumin, që ta kalojmë me sukses këtë sfidë. Pra synojmë rezultat të favorshëm, përkatësisht vendin e parë në grup. Por nuk do të jetë lehtë. Kemi të bëjmë me tre kundërshtarë të rangut të ndryshëm. Për Qipron nuk kemi informata të mjaftueshme. Me Luksemburgun kemi luajtur dy ndeshje miqësore dhe shënuam një fitore e një humbje. Në ato ndeshje ishim thuajse komplet. Luksemburgun e njoh, ka ligë amatore dhe përfaqësuese të re. Portugalia është një kombëtare në zhvillim e sipër. Me disa rezultate dhe lojë në kualifikimet e fundit kundër Gjermanisë më ka befasuar me lojë të mirë”, ka thënë selektori Agron Shabani në prag të grumbullimit të Kombëtares.

Ai thekson se për shkak të mungesave nuk do të jetë e lehtë. Shabani përmend mungesën e Leonora Demajt, Albana Arifit, Kristina Ukajt, Shkurte Mehmetit, Mirjeta Bytyqit, motrave Rexhepi dhe disa të tjerave.

“Thuajse një ekip e kemi jashtë grumbullimit. Por situata është kështu. Natyrisht kemi lojtare cilësore në përbërje dhe jam i sigurt se do ta japin maksimumin. Vajzat janë të vetëdijshme se çka pritet nga ne. Janë të motivuara dhe të vetëdijshme për rëndësinë e turneut kualifikues. Kemi emra të rinj si Njoma Zogaj prej së cilës presim freski. Është Alma Nivokazi, një lojtare në zhvillim. Janë edhe disa emra të tjerë të rinj e, po ashtu, disa lojtare të rëndësishme që kthehen në Kombëtare. Shpresoj që me motrat Hajdari, Gjikokajn, Kelmendin, Markun, Rugovën, Aliun, Kamerin, Halitin, Ramën, Stagovën, Ylberin, Ujkiqin, Istrefin, dy portieret e reja që janë ardhmëria e hendbollit të Kosovës, Ahmetxhekajn e Ukajn, do ta arrijmë qëllimin – t’i kalojmë parakualifikimet. Por, e përsëris, në bazë të mungesave do të jetë vështirë. Gjithsesi do ta japim maksimumin dhe nuk do të dorëzohemi për asnjë çast”, ka theksuar Shabani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juventusi ka konfirmuar se ka ndarë rrugët me drejtorin sportiv,…