SHBA largon një pjesë të punonjësve të ambasadës nga Iraku

15 maj 15:09

Ambasada amerikane në Bagdad ka thënë se Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar “punëtorët qeveritarë jo të domosdoshëm” që të largohen nga Iraku pas rritjes së tensioneve me Iranin.

Përmes një deklarate për medie, ambasada ka njoftuar sot se urdhri vlen për punëtorët që punojnë në ambasadën dhe konsullatën amerikane në qytetin verior Irbil.

“Shërbimet normale për vizat në të dyja vendet do të pezullohen përkohësisht. Qeveria amerikane ka kufizuar kapacitetin për të ofruar shërbime urgjente për qytetarët amerikanë në Irak”, është thënë në deklaratë.

Aty është rekomanduar që personat e prekur “të largohen me transport komercial sa më shpejt që është e mundur”.

Më 12 maj, Ambasada në Bagdad ka këshilluar qytetarët amerikanë që të mos udhëtojnë në Irak, duke cituar “tensionet në rritje” në këtë shtet. Aty nuk janë dhënë detaje për natyrën e kërcënimit.

 

Lajme të sponsorizuara