Shefi i BE-së në Kosovë shpreson se marrëveshja e Ohrit do të zbatohet shpejt

09 maj 2023 | 14:06

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar marrëveshja e Ohrit është një arritje në dialogun Kosovë Serbi.

Ai ka thënë se shpreson se do të implementohet sa më shpejt që është e mundur.

Szunyogu këto komente i ka bërë në përuruan muralit të energjisë së mirë pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Kosovë në Prishtinë, e cila simbolizon të ardhmen energjetike me rastin e Ditës së Evropës.

Ai është shprehur i lumtur që ka përfunduar edhe çështja e liberalizimit të vizave, me të cilën kosovarët mund të udhëtojnë në vendet e Schengen, pa viza nga janari i vitit të ardhshëm.

“Është e qartë po ashtu se është një vit i arritjeve në dialog. Kemi marrëveshjen e Ohrit dhe shpresojmë që kjo do të implementohet sa më shpejt që është e mundur. Po ashtu, jemi të gatshëm për të mbështetur Kosovën me implementimit e strategjisë së energjisë. Bashkë me qeverinë kemi arritur që të finalizojmë këtë pako të mbështetjes energjetike që është mjaftë e konsiderueshme në madhësi, por po vazhdojmë edhe me projekte të tjera duke ndihmuar Kosovën që të bëjë atë tranzicionin për të arritur qëllimet e marrëveshjes së gjelbër dhe standardet evropiane sepse e shohim Kosovën, ashtu siç e shohim edhe gjithë rajonin si shtete anëtare të ardhme të BE. Pra duam që Kosova t’i përmbush të gjitha standardet evropiane sa më shpejt që është e mundur. Gjithsesi që duhet të përmend për këtë vit kam kënaqësinë që përfundimisht kemi përfunduar edhe çështjen e vizave dhe jam shumë i kënaqur që kosovarët do të arrijnë më në fund të udhëtojnë në vendet e Schengenit, pa viza që prej 1 janarit”, ka thënë Szunyog.

Më tutje, Szunyogu ka thënë se edhe sot vendi është në një periudhe lufte. Në këtë kontekst, ai ka thënë se një situatë e tillë nuk e godet vetëm Ukrainën që është sulmuar nga Rusia, por edhe gjithë Evropën në aspektin e sigurisë e politikës, por edhe në aspektin energjetik dhe sigurisë së ushqimit.

Ai ka thënë se ka një numër pasojash negative nga lufta dhe një prej të cilave është rritja e çmimit të energjisë në Evropë.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka potencuar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian.

Rizvanolli para medieve ka thënë se BE-ja ka qenë dhe mbetet një ndër partnerët kyç i cili ndër vite ka mundësuar që ta përforcojë sektorin energjetik të Kosovës.

“Ne si shtet i Kosovës megjithëse i ri, kemi qëndruar dhe ndajmë plotësisht këto vlera të BE-së dhe shohim të ardhmen tonë askund tjetër përveç në BE, në të ardhmen. Veçanërisht në vitet e fundit kemi shënuar shumë suksese në këtë drejtim, duke përfshirë këtu përfundimin e procesit të liberalizmit të vizave, fillimin e procesit të anëtarësimit Këshillin e Evropës, aplikimin për anëtarësim në BE, si dhe progres në të gjitha fushat në agjendën e reformave evropiane. Dhe jemi të përkushtuar që këto t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen. BE ka qenë dhe mbetet një ndër partnerët tonë kyç i cili ndër vite na ka mundësuar që ta përforëcojmë sektorin tonë të energjisë. Gjatë vitit të fundit kemi pas gjithashtu një përkrahje të jashtëzakonshme të BE-së në menaxhimin në përballje e krizën”, ka thënë Rizvanolli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe njëri nga themeluesit…