Shënohet 52-vjetori i themelimit të Gjimnazit në Skenderaj dhe ditëlindja e 69-të e Hamëz Jasharit

19 shkurt 2019 | 14:51

Aktivitete të ndryshme janë organizuar të martën në Skenderaj, me rastin e 52-vjetorit të themelimit Gjimnazit “Hamëz Jasharit” dhe datëlindjes së 69-të të heroit kombëtar, Hamëz Jashari.

Aktivitetet kanë nisur me homazhe dhe një minutë nderim te busti i Hamëz Jasharit para Gjimnazit, nga delegacioni i Komunës së Skenderajt i udhëhequr nga kryetari Bekim Jashari, nënkryetari Nuredin Lushtaku, drejtorët komunalë, drejtoria e shkollës, profesorët dhe nxënësit.

Nderime zyrtarët e lartë të Komunës së Skenderajt kanë bërë edhe të dëshmorët e kombit, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë respekti për sakrificën e tyre.

Ndërsa në sallën e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” në qytet, ku ishte i pranishëm edhe baci Rifat Jashari, vëllai i madh i Hamzës dhe Ademit, është mbajtur një program artistik, organizuar nga drejtoria e shkollës “Hamëz Jashari” dhe nxënësit e saj.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, duke uruar për ditën e shkollës, ka kujtuar babanë e tij, Hamëz Jashari, duke u shprehur falënderues, për, siç ka thënë ai vlerat e larta njerëzore të mësuara prej tij. “Ti dhe vëllai yt, që më vonë do të njihet si komandant legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkërisht ideologë të saj, u bëtë mësim për gjeneratën Tuaj dhe të tjerat që do t’iu pasojnë, për atdhedashurinë. Ti më mësove mua dhe të tjerët se sa e vlefshme është liria, si mund të sakrifikohet për liri, sa shumë duhet të angazhohemi për të ndërtuar vendin, për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Për çdo ditë, mua më shumë më lartësohet personaliteti yt, i papërshkrueshëm për mirësinë dhe thellësinë e mësimeve me shembuj personal. Do të jem përgjithmonë mirënjohës ndaj teje, që ma mundësove të vazhdoj gjurmëve tua në rrethana të reja, të ekzistoj dhe të shkruaj për ty, në atdheun tonë të dashur! Urime baba ditëlindja e 69-të!”, ka thënë kryetari Jashari.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, me rastin e shënimit të…