Shënon ngritje indeksi i kostos së ndërtimit në Kosovë

11 shtator 2019 | 14:31

Ka shënuar rritje për 1.4 për qind Indeksi i Kostos së Ndërtimit (IKN) në tremujorin e dytë të vitit 2019, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

“Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) u ngrit për 1.0 për qind në tremujorin e dytë (TM2) 2019, krahasuar me TM1 2019. Ngritje më të madhe kishin kategoritë: materialet (1.0 për qind); pagat (2.0 për qind); makineritë (0.6 për qind); dhe kostot e tjera (0.1 për qind). Ngritja e çmimeve u neutralizua, kryesisht me rënien e çmimeve sipas kategorive te transporti (-1.2 për qind) dhe energjia (-0.1 për qind). Ndërkaq, krahasuar TM2 të 2019 me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2018), Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati ngritje prej 1.4 për qind. Ngritja u vërejt kryesisht të kategoritë: materialet (0.6 për qind); pagat (2.0 për qind); makineritë (0.6 për qind); transporti (17.8 për qind); dhe kostot e tjera (2.1 për qind). Ndërsa, rënie pati energjia me (-1.2 për qind), krahasuar me te njëjtën periudhe të vitit paraprak”, ka njoftuar ASK-ja.

Kjo agjenci ka theksuar se Indeksi i Kostos të Ndërtimit është i kufizuar për ndërtesat e sapondërtuara shumëkatëshe, që është lloji më i zakonshëm i projektit të ndërtimit në Kosovë.

“Për materialet e ndërtimit, çmimet mblidhen nga furnizuesit e materialeve të ndërtimit. Furnizuesit kanë të bëjnë drejtpërdrejt me kontraktorin. Për të mbledhur informacionin e çmimeve, një pyetësorë u dërgohet kompanive ku ASK-ja në mënyrë specifike tregon se për çfarë produkti po mblidhen informatat për çmimet. Furnizuesit e dhënave mund të shohin se çfarë çmimi i kanë dorëzuar ASK-së në tremujorin e fundit. ASK-ja kërkon çmimet mesatare që kompanitë i kanë për produktet e tyre çdo tre muaj. Kostot e pagave mblidhen nga kompanitë ndërtimore. Për kostot e makinerive, ASK-ja mbledhë çmimet për makinat e vogla që përdoren në sektorin e ndërtimtarisë. ASK-ja mbledhë çmimet për shërbimet e transportit të materialeve ndërtimore nga disa kompani ndërtimore. Çmimet grumbullohen përmes stafit te zyrave rajonale të ASK-së në periudha tremujore”, ka njoftuar ASK-ja.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori Valon Berisha është rikthyer nga lëndimi pas shtatë muajsh.…