“Sherifja” pa ushtri!

11 prill 12:31

Shkruan: Ahmet Jashari

Në 22 – vjetorin e Betejës së Koshares, presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, njëherit komandante e përgjithshme e Forcave të Armatosura, i kujtohet Brigada 138, që mban emrin e heroit, Agim Ramadani, por jo edhe i formacionit ushtarak në kuadër të të cilit ka vepruar kjo Brigadë. Në postimin e presidentes në Facebook, përmendet Brigada, por jo edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Një fjali e tillë e cunguar, për dikë që nuk  e njeh Kosovën do të krijonte konfuzion, meqë nuk mund t’i referohesh një brigade ushtarake ndaras prej formacionit ushtarak sido që e ka emrin ai. Në këtë rast e ka emrin UÇK!

Nëse presidentja nuk e beson le ta shikojë emblemën në uniformën e Agim Ramadanit. Nëse nuk ia qet goja atëherë e ka problem të jetë presidente e Kosovës në kuptimin e mirë të fjalës. Ushtria e Kosovës, komandante e të cilës është presidentja është pasardhëse e UÇK -së. Nëse nuk beson, le ta pyes komandantin e FSK-së dhe shokët e tij. Nëse presidentja beson, por e injoron është edhe më keq. Presidentja është votuar nga 300 mijë qytetarë për ta bërë Kosovën më të mirë dhe jo për të krijuar ndarje dhe përkeqësim.

Presidentja është zgjedhur për t’i ndihmuar Kosovës dhe jo për të folur keq për Kosovën në intervistat në mediat ndërkombëtare. Presidentja është aty për ta lartësuar UÇK-në dhe heronjtë e saj, me gjakun e të cilëve u ndërtua shteti, të cilës ajo i prinë. Inatet politike me ish-eksponentët e UÇK – së në politikë nuk i shërbejnë të ardhmes së këtij vendi dhe suksesit të presidentes. Qytetarët, ata që e kanë votuar dhe ata që nuk e kanë votuar presidenten, i kanë hallet e përbashkëta. E duan atë apo se duan presidenten, të gjithë duan që Kosova të jetë më mirë.

Heronjtë e Kosovës nuk ndërtohen me konstruksione politike. Presidentja duhet të pranojë dhe respektojë luftën e UÇK -së dhe heronjtë e saj. Ajo nuk mund të ketë heronjtë e saj ndaras prej heronjve të Kosovës. Presidentja duhet të rrezatojë, jo të errësojë. Qytetarët e këtij vendi i kanë besuar asaj, e kanë mbrojtur dhe mbështetur edhe nëse ka pasur ndonjë zë që ka tingëlluar si fyerje ndaj saj. Ajo duhet t’i besojë heronjve të vet dhe mos t‘i fyej ata. Ndryshe nuk do të mund ta mbrojë askush, e më së paku ata që i servilosen.

Në një botë normale, asaj do të duhej t’i ndihmonte kryeministri, por si duket ai ende është i zënë duke emëruar në pozita axhallarët e ministrave. Asaj do të duhej t’i ndihmonte edhe opozita, por si duket në PDK janë të zënë duke e caktuar njeriun që ka të drejtë të flas në emër të partisë. Në LDK janë duke e marrë vetën ende pas zgjedhjeve, në AAK ju është trashuar gjuha, përderisa Nisma ka mbetur fare pa zë.

Nëse ajo nuk e ka forcën e mjaftueshme që ta tejkalojë vetveten, atëherë do ta anashkalojë të vërtetën e Kosovës dhe UÇK -së.  Nëse udhëhiqet nga inati politik, ajo do të mbetet vetëm një iluzion që ngjalli shpresë dhe që zhgënjeu. Në anën tjetër, heronjtë dhe UÇK -ja do të mbeten përjetë aty, në shpirtin e popullit shqiptar të Kosovës. Ata që nuk besojnë e gjejnë të vërtetën në eshtrat e Agim Ramadanit dhe bashkëluftëtarëve të tij, që ranë maleve të Kosovës për ta bërë të mundur që Vjosa dhe populli i saj të jetojë në liri, të ketë shtet dhe mirëqenie!

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhiroja e 28 në Superligën e Kosovës në futboll vazhdon…