Shkëputja e kontratave me operatorët kabllorë, ARKEP merr këtë vendim në të mirë të konsumatorëve

06 shkurt 2024 | 16:44

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka miratuar një rregullore të re që iu jep të drejtë klientëve të shkëpusin kontratën me operatorët kabllorë, në momentin që këta të fundit s’japin shërbimet.

Sipas komunikatës së ARKEP-it, shkëputja e kontratës mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, pa ndonjë kosto shtesë, shkruan Insajderi.

“Kjo Rregullore përcakton termat dhe kushtet, të cilat duhet t’i përmbajë kontrata për ofrimin e rrjeteve dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, masat për rritjen e transparencës dhe publikimin e informatës në dobi të konsumatorëve dhe përdoruesve të tjerë fundorë, si dhe rregullat dhe procedurat e zgjidhjes së ankesave që mund të lindin nga konsumatorët dhe përdoruesit e tjerë fundorë, në lidhje me kontratat”, thuhet në njoftimin e ARKEP’it.

Siç vijon njoftimi, rregullat e reja të ARKEP-it përfshijnë:

– Vendosjen e obligimeve shtesë për operatorët sa i përket rritjes së transparencës dhe informimit të konsumatorëve lidhur me të drejtat e tyre;

– Vendosjen e kërkesave specifike sa i përket kualitetit të shërbimeve të komunikimeve elektronike, me fokus në shërbimet e qasjes në internet dhe kualitetin e shërbimit të thirrjeve me zë;

– Ofrimin e mundësisë për konsumatorët për ndërprerjen e kontratës, për rastin e pakove të kombinuara, atëherë kur ka ndryshim për cilindo element të pakos. Në rast të ndryshimeve në kushtet e kontratës për qasje në shërbimet mediale audio vizuale, konstatimet do t’i jap autoriteti kompetent – Komisioni i Pavarur për Media (KPM);

– Përcaktimin e procedurës për paraqitjen e ankesave, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe mënyrës së kompensimit.

ARKEP ka squarar më tej se periudha e vendosur kur ofruesi i shërbimit mund të kërkojë kompensim për shkëputjen e parakohshme të kontratës (gjatë 9 muajve të parë kur kontrata është lidhur për 12 muaj, përkatësisht 12 muajt e parë kur kontrata është lidhur për 24 muaj), vlen vetëm për rastet kur janë përmbushur të gjitha kushtet e kontratës nga ofruesi i shërbimit.

Periudha detyruese është e pazbatueshme për kontratat te cilat vazhdohen ose janë vazhduar ne mënyre automatike. Të gjitha kontratat e vazhduara ne mënyre automatike mund te shkëputen njëanshëm, pa ndonjë arsye, nga përdoruesi fundorë në çdo kohë me një periudhë njoftimi te paktën pesë (5) ditë para datës së përfundimit të periudhës së faturuar dhe pa ndonjë kosto shtesë përveç tarifave për marrjen e shërbimit gjatë periudhës së njoftimit.

Ndërkaq, për të gjitha rastet tjera si, ndryshimi i njëanshëm i kushteve kontraktuale, funksionimi i dobët të shërbimit, apo shkeljeve tjera të kushteve kontraktuale nga ofruesi i shërbimit, konsumatori ka të drejtën e shkëputjes së parakohshme të kontratës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AURON BRAHIMI, shpall te PAVLESHME deftesat dhe diplomen e shkolles…