Shoqata e Gastronomëve: Urgjentisht të hiqet kufizimi i lëvizjes

30 nëntor 12:15

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar urgjentisht që të hiqet kufizimi i lëvizjes, për shkak që sipas tyre, ky kufizim nuk e ka ulur numrin e rasteve me koronavirus.

Në një reagim të tyre, ata kanë paralajmëruar kolapsim të shumë bizneseve, teksa kanë thënë se dita-ditës po vazhdon largimi i punëtorëve nga puna.

Kjo shoqatë ka kritikuar festën e bërë mbrëmë në Podujevë, pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Reagimi i plotë nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës:

Të shqetësuar nga rezultatet jopremtuese nga masat e fundit të aplikuara nga ana e Qeverisë së Kosovës (QK), që nga data 13 nëntor e deri më sot, jemi dëshmitar që lakorja e infeksionit Covid-19 vetëm është përkeqësuar. Më shumë se kjo, kemi rritjen e lakores së dëmit ekonomik, e cila çdo herë e më shumë po thellohet.

Këto politika që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, është evidente që nuk po arrijnë qëllimin e tyre, përkundrazi të pamenduara dhe shumë të rrezikshme për vendin, që do t’i lejnë gjurmët e pasojat e tyre për një kohë të konsiderueshme edhe pas pandemisë.

Sa i përket ndikimit të pandemisë dhe masave të QK-së në aspektin ekonomik, tashmë është evidente që sektori i gastronomisë është më i godituri në vend. Sipas të dhënave të Agjensionit Statistikor të Kosovës (ASK), të hyrat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64 për qind, si asnjë sektor tjetër në Kosovë.

Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgatitur nga “SHGK” dhe “Korb Marketing&Research”, kemi të raportuar që 36 për qind e bizneseve të gastronomisë, janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit.

Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk mund ta mbijetojnë këtë situatë dhe 56 për qind e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna. Në këto rrethana, urgjentisht ju bëjmë thirrje që këto masa të hiqen, si jo efektive, e aq më pak të mendohet mbyllja totale pa ndonjë plan për mbështetjen financiare në ekonomi.

Për më tepër rreth Covid-19, mos të harrojmë që përhapja më e madhe e infeksionit ndodhë në hapësirat e institucioneve publike të cilat nuk i respektojnë masat parandaluese, nuk inspektojnë hapësirat e tyre të brendshme, por që kanë fokus primar dënimin e bizneseve private dhe këmbësorëve, duke shkaktuar papunësi të madhe në sektorin privat, derisa bëjnë çmos për të garantuar që pagat dhe mëditjet e tyre të mos u preken.

Për të përfunduar, të gjitha këto dhe i tërë serioziteti i kësaj çështjeje, përveç tjerash shpjegohet më së miri me mesazhin që kemi kuptuar të gjithë me turmat e pakontrolluara të njerëzve, mbledhjet, organizimet dhe fushatat e padinjitetshme të politikanëve në zgjedhjet e fundit në Podujevë, etj.

Pra, ky është shembulli që marrim në këtë kohë krize e fatkeqësie! Turp ju qoftë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog…