Shpallen fituesit e garës kombëtare në fizikë, nxënësit e ‘Mehmet Akifit’ ndër më të mirët

13 mars 2019 | 16:51

Nxënësit e shkollës “Mehmet Akif” në Lipjan kanë shkëlqyer në garat e 20-ta për lëndën e fizikës të organizuar nga Shoqata Kosovare e Fizikës.

Edhe këtë vit shumë çmime të para janë fituar nga nxënësit e kësaj shkolle, e cila tashmë njihet për suksesin e nxënësve në gara kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shoqata Kosovare e Fizikës ka mbajtur më 9 mars garën e 20-të të fizikanëve të rinj të Kosovës.

Në këtë garë kanë marrë pjesë shumë nxënës nga shkollat e mesme të Kosovës. Sipas rezultateve të Shoqatës së Fizikanëve të Kosovës, tre vendet e para të klasave të 10-ta i kanë fituar nxënësit e “Mehmet Akif 1”, konkretisht Blendi Melenica, Uran Daku dhe Blert Shabani.

Ndërsa për klasat e 11-ta vendi i parë është fituar nga nxënësi Jon Syla dhe i treti nga Arlind Shefkiu. Për klasat e 12-ta vendet e treta janë fituar nga nxënësit Aurora Saraçi dhe Urim Shaqiri.

Mësuesi i lëndës së fizikës në “Mehmet Akif”, Ibrahim Sevimli, ka thënë se ndihet krenar ku sheh nxënësit e tij të fitojnë në garat kombëtare.

“Tashmë është traditë që nxënësit e kolegjit ‘Mehmet Akif’ të marrin pjesë në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Nxënësit tanë kanë marrë pjesë që në edicionin e pare të garës së fizikës. Edhe këtë radhë punuam shumë me nxënësit duke u dhënë mësime shtesë dhe i përqendruam të zgjidhnin shumë ushtrime. Tani shkolla jonë lëndët shkencore i jep në gjuhën angleze, prandaj na mori kohë edhe përvetësimi i termave anglisht me gjuhën shqipe. E megjithatë i gjithë ky mund ta rezultate të mira pasi nxënësit tanë dolën me sukses. Nëse ka një sukses, kjo vjen nga puna e palodhshme në grup. I falënderoj të gjithë nxënësit dhe familjet që janë përpjekur për të arritur fitore”, ka thënë Sevimli.

Edhe drejtori i “Mehmet Akif” në Lipjan, Ender Tergip ka falënderuar të gjithë nxënësit për suksesin e arritur.

“Fizikanët e rinj deklaruan se edhe këtë vit puna e palodhshme e mësimdhënëseve tanë u shpërblye në garat e 20-ta republikane të fizikanëve të rinj të Kosovës, të mbajtura më 9 mars 2019. Nga klasat e 10-ta vendi i parë i takoi Blendi Melenicës, vendi i dytë Uran Dakut, ndërsa vendi i tretë Blert Shabanit. Nga klasat e 11-ta i takoi Jon Sylës dhe vendi i tretë Arlind Shefikut. Nga klasat e 12 -ta vendi i tretë i takoi Aurora Saraçit dhe Urim Shaqirit. Të gjithë këta nxënës të shkollës tonë të cilët edhe njëherë e dëshmuan se me punë dhe përkushtim arrihen suksese të mëdha”, ka thënë Tergipi.

Shkollat Mehmet Akif njihen në Kosovë për suksesin në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Nxënësit e kësaj shkolle e kanë nderuar Kosovën në SHBA, BE apo Hong Kong.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte nga ora 21:00 zhvillohet ndeshja kthyese për fazën e…