Shpërndahen 200 koshere bletësh për 20 fermerë të Skenderajt

09 gusht 2020 | 16:22

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me drejtorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Sokol Sallahu, ka takuar fermerët përfitues të projektit të përbashkët në mes të kësaj komune dhe fondacionit “Qatar Charity”, në kuadër të të cilit kanë përfituar 20 fermerë me nga 10 koshere me bletë, 10 koshere të zbrazëta për rritje të biznesit të tyre familjar si dhe me nga një centrifugë mekanike për nxjerrjen e mjaltit.

Me këtë rast, Jashari, duke i përgëzuar fermerët përfitues, u bëri thirrje atyre që të punojnë për zgjerimin e biznesit te tyre, për ta zhvilluar kështu ekonominë dhe për ta zvogëluar papunësinë. Ai ka deklaruar se Komuna e Skenderajt për çdo vit është duke rritur buxhetin për bujqësinë dhe përkrahjen për fermerët e komunës sonë në përgjithësi. Më tutje, Jashari për realizimin e këtij projekti ka falënderuar fondacionin “Qatar Charity” dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në zhvillimin e bujqësisë në Komunën e Skenderajt.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Sokol Sallahu, ka inkurajuar fermerët që të punojnë për zgjerimin e biznesit të tyre duke marrë shembull te fermerët e suksesshëm që me përkrahje të tillë kanë arritur të krijojnë një biznes të qëndrueshëm dhe të krijojnë vende të punës. 20 fermerët përfitues kanë mbajtur trajnim rreth kultivimit të bletëve nga bletari Zymer Bajraktari, biznesin e të cilit e ka vizituar edhe kryetari Jashari dhe me ç’rast e ka përgëzuar atë për punën dhe përkushtimin e tij në zhvillimin e sektorit të bletarisë. Nga ana tjetër, fermerët përfitues kanë falënderuar kryetarin Jashari për përkrahjen e vazhdueshme në jetësimin e ideve dhe zhvillimit të bizneseve të tyre familjare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Vezir Bajrami” në…