Shqipëria po digjet nga jugu në veri

09 gusht 2022 | 23:42

Alarmi i zjarreve këtë sezon veror në Shqipëri është edhe më i lartë se sa ai i vitit të shkuar, me flakë të përhapura nga jugu në veri dhe me Forcat e Armatosura dhe ato zjarrfikëse, në terren, në çdo kohë.

Këtë vit, nuk janë kursyer as shtëpi (edhe pse të braktisura), ku 21 janë shkrumbuar vetëm në zonën e Shkodrës.

Vatra të shumta janë përhapur në zonën e Matit dhe për shkak të një terreni shumë të vështirë për të vepruar, si edhe kushteve klimatike tejet të favorshme për përhapjen e zjarreve, ndërhyrja është e vështirë.

Në Gramsh, vetëm gjatë 9 gushtit, janë djegur mbi 50 hektarë drurë shekullorë, në njësinë administrative Kukur.

Ka qenë vetë shefi i zjarrfikësve Gramsh, Ilir Lapushi, ai i cili i bëri me dije pasojat në terren.

Në tërësi, mendohet se janë rreth 34 vatra zjarri aktive.

Situatat më problematike raportohen në Vlorë, Berat, Shkodër dhe Gramsh.

Po ashtu, vatra sporadike janë përhapur edhe në pjesë të rrethinave të Tiranës, apo bashkive të tjera të mëdha.

Një pjesë e këtyre situatave, janë krijuar për shkak të zjarreve të qëllimshme të vendosura nga vetë banorët, të cilat po hetohen, për të vënë përpara përgjegjësisë autorët.

Vitin e shkuar, disa shtesa në ligje e kanë ashpërsuar edhe më tej ndëshkimin për zjarrvënie të qëllimshme, duke e dënuar aktin me burgim.

Pasoja në njerëz nuk ka pasur ende, por në disa raste, flakët u janë afruar zonave të banuara, ku kanë rrezikuar edhe shtëpi në fshatra të caktuar.

Ndërhyrja në terren po bëhet me mbi 70 mjete zjarrfikëse, si edhe një avion të specializuar i modelit Cougar, si ndihmë e shtetit grek për Shqipërinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria ishte burimi i katër në 10 emigrantë të Kanalit…