SHTATË ARSYET PËRSE DO TË FITOJË PRISHTINËN PËRPARIM RAMA

24 gusht 2021 | 12:53

Haki Demolli

Tanimë kur të gjitha subjektet politike i kanë “hapur letrat” dhe dihet se kush do të garojë  për të parin e Prishtinës, nuk ka dilemë se dy kandidatët potencialë për këtë post të rëndësishëm politik, janë Përparim Rama kandidati i propozuar nga LDK-ja dhe Arben Vitia nga LVV-ja. Sipas mendimit tim, në këtë garë politike i pari në cak do të arrijë Përparim Rama, pikërisht për shkak të arsyeve, që do t’i listojë më poshtë:

 

  1. Vlerat njerëzore, profesionale dhe menaxheriale të Përparim Ramës

Qe nga dita kur Përparim Rama ka treguar gatishmërinë e tij për të qenë kandidat i LDK-së për të parin e Prishtinës, kandidatura e tij ka nxitur kureshtjen e qytetarëve e Prishtinës dhe më gjerë. Për një kohë të shkurtër, ai e ka fituar simpatinë e prishtinasve, si një i ri me origjinë nga Gollaku, i lindur në Prishtinë, një i ri modest, i kujdesshëm dhe komunikativ,  i shkolluar dhe ngritur profesionalisht në Angli. Një prishtinas, i cili karrierën e suksesshme të arkitektit e ka ndërtuar në shtetet e Evropës Perëndimore, shtete ku njeriu vetëm me dije, punë, përkushtim dhe garim konkurrues mund të arrijë suksese në fushat jetësore. Pra, Përparimi është ai i riu prishtinas, i cili vetën e ka dëshmuar në mjediset e shteteve perëndimore, me punën dhe aftësitë e tij personale, fakt ky i cili na bënë qe me Përparimin të krenohet jo vetëm familja, Prishtina ( vendlindja e tij) por edhe e tërë Kosova.

Pasur parasysh profesionin e tij të arkitektit për të cilin pikërisht në këtë kohë ka nevojë Prishtina dhe qytetari i saj (sikurse që ka nevojë i eturi për ujë apo i urituri për bukë) dhe duke pasur parasysh përvojën e tij menaxheriale si implementues i projekteve të shumta ndërkombëtare, mendoj se Përparimi është ai i duhuri, ai për të cilin ka nevojë Prishtina dhe qytetari i saj, ai i cili do jep kontributin e tij profesional për ta shpëtuar Prishtinën nga kolapsi urbanistik, respektivisht për ta rimëkëmbur dhe shpjer në drejtim të rrugës së saj evropiane. Kam përshtypjen, se Prishtina dhe prishtinasit tanimë e ndiejnë se para vetes kanë një rast ideal për të rimëkëmbur qytetin e tyre, kanë një kandidat i cili çdo gjë që ka arritur në jetën e tij, e ka arritur me punë, djersë dhe përkushtim, që d.m.th. kandidat i cili e respekton dhe mbron paranë publike dhe ‘djersën e popullit’, e të cilit votuesi i  Prishtinës, me votën e tij do t’ia jep besimin për të menaxhuar me Prishtinën, për një mandat 4 vjeçar.

 

  1. Ministri që lufton për “kolltuk edhe më të butë”

Kundër kandidati kryesor i Përparimit është Arben Vitia, i cili  majat e popullaritetit të tij i ka arritur  gjatë muajve mars –prill të vitit  2020, me pretendimet se është duke  menaxhuar mirë pandeminë me koronavirus dhe pikërisht ky Arben, në gusht të vitit 2021, në kohën kur në Kosovë për çdo ditë po   thyhen rekordet për numrin e madh të të infektuarve me virus Covid-19 ( me dt.21.08.2021 janë regjistruar 2.279 të infektuarë), ka vendosur që të kandidohet për të parin e Prishtinës, duke dëshmuar  se atij i intereson vetëm ‘kolltuku i butë’  dhe pushteti, ndërsa nuk ka kurrfarë konsiderate për mirëqenien dhe shëndetin e  popullatës, e madje as të votuesit të tij. Ndonëse mjek me profesion ai është në gjendje që “t’ua kthejë shpinën dhe  t’i lë në baltë” të infektuarit e shumtë, pacientët, të sëmurët, vetëm e vetëm që të fitojë postin e të parit të Prishtinës, post ky qe do t’i japë pushtet për të menaxhuar me ndërtimet ( të ulëta e të larta), me hapësirat dhe pronat komunale, me tenderët e natyrave të ndryshme të kryeqytetit tonë, me buxhet vjetor mbi 85- 90 milionë euro, e më shumë e shumë të mira të tjera materiale dhe jomateriale. Kandidimi i një ministri të qeverisë për kryetar të komunës,  me të drejtë nga votuesi ynë do të vlerësohet si  një veprim jo etik në politikë. Veprimi i tillë i ministrit, argumenton pohimin se në politikë nuk ka as moral e as etikë, por ka vetëm interesa individuale dhe grupore.

  1. Dështimi tetë vjeçar i LVV-së në Prishtinë

Qeverisja tetë vjeçare e LVV-së me qytetin e Prishtinës, është arsye tjetër për mosvotimin e kandidatit të saj, pra të Arben Vitisë. Shpendi i LVV-së, para se të vinte në pushtet i premtoj qytetarit (votuesit) të Prishtinës, se do ta bëjë Prishtinën “parajsë” dhe votuesit e saj të lajthitur nga premtimet megalomane, vrapuan pas tij symbyllas duke ia dhënë votën dhe besimin për dy mandate. Tash kur po bëhen tetë vite, poqë se e pyesim qytetarin e Prishtinës, se për  çka do ta mbajnë mend Shpendin ‘Harwardian’ të LVV-së, të gjithë njëzëri do të thonë se do ta kujtojmë për: ‘kunxhat’ e tij (kunjëzimin e qytetit); gropat e shumta në kryeqytet, për shtigjet e biçikletave jo të funksionalizuara; për projektin e kifleve të dështuar; për projektet e stërzgjatura dhe të papërfunduara  (p.sh. në rrugën “Llapi” ka zgjatur hapja dhe mbyllja e kanaleve 16 muaj) të hapjes së kanaleve nëpër rrugët e Prishtinës, për bllokimin e rreth-rrotullimeve ( te komuna e Prishtinës, stadiumi Fadil Vokrri, te rruga “B”etj.) me disa kufizues plastik që po krijojnë kolona të gjata për kyçje në rreth-rrotullime, e me këtë  po krijojnë nervozë dhe stres te vozitësit; do të mbahet mend edhe për jo transparencë dhe ikje nga debatet publike dhe mediat në përgjithësi, do të mbahet mend për 72 premtimet e parealizuara nga 100 të deklaruarat, do të mbahet mend për paaftësinë në menaxhimin e buxhetit për investime kapitale dhe atë vetëm në lartësinë 40-45% në vit; për menaxhimin korruptiv veçanërisht në lëmin e ndërtimtarisë, për lundrim me jahtin e Devollëve nëpër Mal të Zi,  për marrjen me politika regjionale dhe ndërkombëtare e jo me problemet e Prishtinës etj. Ky keqmenaxhim i Prishtinës nga LVV-ja, do ta ndëshkojë Arbenin, sepse ai nuk do të mund “tua shesë” edhe njëherë votuesve të Prishtinës premtimet megalomane dhe të pabaza të subjektit të tij politik dhe paraardhësit të tij, sepse kësaj radhe besojë që votuesi  i Prishtinës, do të ketë parasysh përvojën paraprake dhe nuk do të bëhet pre e premtimeve dhe mashtrimeve të tilla elektorale, por do të votojë në mënyrë të arsyeshme, duke i dhënë besimin  Përparim Ramës.

 

  1. Kërcënimi i ministrit ndaj lirisë së mediave në “konferencën urgjente për media”

Një arsye tjetër është  edhe “Konferenca urgjente për media e dt.16. 04. 2021”, të cilën e mbajti ministri Vitia me kërkesën (urdhrin) nga strukturat e larta të LVV-së,  përkundër faktit që persona të caktuar nga ekipi këshillues i tij i sugjeruan që mos të  mbaj konferencën e tillë pa i verifikuar faktet e prezantuara në portalin “Insajderi”. Me gjasë e tëra kjo ndodhi me qëllim që kandidatit Vitia  “t’i digjej kredia”,  respektivisht t’i damkosej popullariteti i fituar gjatë menaxhimit të pandemisë me koronavirus. Kështu duhej ndodhur, sepse në LVV ka vetëm një “babë”, në momentin që dikush i afrohet  atij me popullaritet apo në çfarëdo mënyre duket se po del “jashtë hijes së babës”, ai menjëherë duhet “të digjet”. Të rikujtojmë se, në “Konferencën urgjente” Vitia e kërcënoi lirinë e medieve, me fjalët  “shteti do të kërkojë llogari,” duke kërkuar nga prokurori dhe policia që të ndërmarrin veprime hetimore ndaj personelit dhe objekteve të portalit “Insajderi”. Vërtetë një ditë më vonë organet proceduese, konkretisht policia e Kosovës, veproj konform kërkesës së tillë duke “vizituar” lokalet dhe marrë në pyetje personelin e “Insajderi” (me pretendimet  se po zhvillojnë hetimet për vepër penale zbulimi i fshehtësisë zyrtare). Kërkesa e këtillë e ministrit Vitia nga shoqëria civile, ekspertët e të drejtave të medieve dhe opinioni i gjerë i Kosovës është vlerësuar si një iniciativë për cenimin të lirisë së shprehjes.

 

  1. Votuesi i Listës Guxo në përkrahje të Përparim Ramës

Gjatë vitit 2020 për shkak të zhvillimeve politike brenda LDK-së erdhi deri te largimi i një pjese të anëtarësisë dhe elektoratit nga LDK-ja, e cila pjesë ju bashkëngjit Listës Guxo, të themeluar nga Vjosa Osmani. Pjesa dërmuese e tyre  ishin të pakënaqur me lidershipin e atëhershëm të LDK-së, ndërsa dy prej arsyetimeve kryesore të mospërkrahjes së tyre për LDK-në ishin, se ‘ne nuk e votojmë LDK derisa atë e udhëheq Isa Mustafa dhe Agim Veliu” dhe arsyetimi tjetër ishte, se “ne e duam Vjosën për lidere të LDK-së”. Ata vërtetë kështu vepruan në zgjedhjet e shkurtit 2021. Por në zgjedhjet komunale të këtij tetori situata politike është krejtësisht ndryshe, sepse në njërën anë LDK-ja udhëhiqet nga LumirAbdixhiku (Isa dhe Agimi nuk kanë ndikim në vendimmarrje), në anën tjetër Vjosa tanimë i ka realizuar aspiratat e saja politike për presidente të vendit, dhe konform dispozitave kushtetuese nuk mund të jetë aktive në ndonjë parti politike, njëherësh dega e Listës Guxo në Prishtinë nga korriku i këtij viti është mbyllur. Andaj duke pasur parasysh divergjencat në radhë të parë ideologjike por edhe ato politike në përgjithësi, ndërmjet anëtarëve të Listës Guxo (të brumosur me politikat e LDK-së së vërtetë rugoviste) në njërën anë dhe pikëpamjeve ideo-politike të LVV-së në anën tjetër, është e natyrshme dhe logjikshme që votuesit e Listës Guxo të kthehen në shtëpinë e tyre politike, pra në LDK dhe në zgjedhjet e tetorit ta votojnë kandidatin e saj, Përparim Ramën.

  1. Arroganca e numrave të LVV-së

Qe nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, kur LVV-ja fitojë me 50.28%, lidershipi i këtij subjekti politik në raport me partitë tjera politike  është sjellë me një arrogancë të paparë politike, të cilën nuk e kemi hasur jo vetëm në Kosovë, regjion por edhe në shtetet tjera demokratike. LVV-ja  ka vepruar me një injorancë të jashtëzakonshme duke mospërfillur dhe shmangur bashkëpunimin me partitë tjera politike jo vetëm për çështjet  e rëndësishme politike në rrafshin e brendshëm ( si p.sh. zgjedhja e presidentes, çështjet ekonomike etj.) por edhe ato të rrafshit ndërkombëtar ( bisedimet me Serbinë- pa hartuar një strategji nacionale, pa marrë iniciativë për konsensus të brendshëm etj.). Thellësisht jam i bindur se arroganca e numrave sikurse në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal (para disa ditësh dëgjova në televizion, se si kandidatit i LVV-së për Mitrovicë Jugore  si një adoleshent -mburravec krekosej duke thënë ‘krejt le të bëhen kundër meje, unë do t’i mposhti’), në zgjedhjet e 17 tetorit do t’ju faturohet disa nga kandidatëve të LVV, si në Prishtinë, Mitrovicë të Jugut, Prizren, Podujevë etj.  Bindjet e mija i bazoj në karakterin dhe natyrën modeste të votuesve prishtinas por edhe atyre kosovarë në përgjithësi,  të cilët janë në gjendje të përkrahin dhe ta ndihmojnë “viktimën” në çfarëdo mënyre përfshirë këtu edhe dhënien e votës,  por në momentin që e vërejnë se dikush po sillet me arrogancë, injorancë, krekosje, rrahagjoks, të njëjtit votues janë të gatshëm që ta ndëshkojnë, siç kanë vepruar me partitë dhe kandidatët e partive që paraprakisht kanë qenë në pushtet. Mos të harrojnë mburravecët dhe krekosësit me sjellje fëmijërore, se zgjedhjet komunale dallojnë nga ato nacionale, sepse në këto komunale ka edhe balotazh në të cilin kandidatët i futen garës nga pika zero.

 

  1. Aferat personale të Ministrit

Në proceset zgjedhore të shoqërive tradicionale (konservative) siç është shoqëria kosovare, ndikim të theksuar në rezultatin përfundimtar,gjithsesi kanë edhe përgojimet. Në ambiente  të ndryshme qëndrimi (lokale, kafiteri, shetitore etj.)  të Prishtinës, ka një kohë të gjatë që më të madhe është duke u folur ( “fjalë që shkojnë në vesh të votuesit”) për aferat personale të ministrit Vitia. Sa janë reale, respektivisht sa janë të vërteta informatat e këtyre përgojimeve, t’ia lëmë kohës që t’i argumentojë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fede Valverde do të mbetet në Madrid. Sipas gazetarit Mario…