Shyqeri Gjinolli katër dekada veprimtari kombëtare

07 prill 2021 | 17:10

-Në 40-vjetorin e demonstratave të vitit 1981

Shkruan: Ismet Rashiti

Njëri nga ndërtuesit e Pranverës së Madhe 1981, padyshim është edhe veprimtari i përkushtuar, Shyqeri Gjinolli, i lindur në Sllatinë të Epërme të Vitisë nga nëna Habibja dhe babai Nuhiu. Vjen nga një familje me taban kombëtar, e cila u dëshmua në të gjitha përpjekjet dhe luftërat e popullit shqiptar për çlirim kombëtar. Babai Nuhi Gjinolli një periudhë të gjatë ka qenë shembull për rininë sllatinase. Ai nuk ka kryer ndonjë universitet, por universitet kanë qenë pikëpamjet e tij përparimtare, dhe sidomos dashuria për arsim dhe emancipim kombëtar. Një pasionant i madh i librit dhe i mendimit përparimtar, gjithnjë në shërbim të kauzës kombëtare shqiptare. Kjo kishte bërë që Nuhi Gjinolli të bëhej njeri i afërt dhe i respektuar nga të gjithë.
Në këtë mjedis familjar, lindi, u rrit dhe u frymëzua, Shyqeri Gjinolli. Pas mbarimit të shkollës fillore “Liria” tani “Njazi Rexhepi” në Sllatinë të Epërme, kryen gjimnazin shkencor në Ferizaj dhe pastaj Fakultetin e Biologjisë në Prishtinë.
Shyqeri Gjinolli qysh në rininë e tij të hershme, krahas literaturës shkollore, lexonte literaturë nga fusha e letërsisë dhe historisë kombëtare të cilat ndikuan në formimin e tij si intelektual dhe atdhetar i devotshëm. Formimi intelektual e kulturor, kishin bërë që Shyqeri Gjinolli të gëzonte besim të plotë në rrethet e organizuara ilegale nga të cilat merrte, lexonte dhe shpërndante literaturë të ndaluar si gazeta dhe libra nga Shqipëria për të cilën merrte frymë në çdo kohë dhe ishte i gatshëm të rrezikonte çdo gjë për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar.
Pranvera e Madhe e vitit 1981, atdhetarin Shyqeri Gjinolli e kishte gjetur të përgatitur. Me punën dhe angazhimin e tij konkret, fillimisht duke propaganduar dhe shpërndarë literaturë dhe pastaj edhe si pjesëmarrës aktiv në protesta e demonstrata të vitit 1981 në Prishtinë dhe Ferizaj.
Angazhimi i tij, sado që në ilegalitet të thellë, nuk kishte arritur t’i shpëtoi syrit të UDB-së famëkeqe. Një kohë të gjatë kishte filluar të përcillej këmba këmbës. Emri i tij ishte nënvizuar me ngjyrë të kuqe sikurse edhe e bashkëveprimtarëve të tij, ndër të cilët Nazim, Daut e Vahedin Azemi, si pjesëtar të Partisë Komuniste Marksiste Leniniste të Kosovës që udhëhiqej nga Abdullah Prapashtica.
Pas përcjelljes së gjatë të veprimtarisë dhe lëvizjeve në shërbim të kauzës kombëtare shqiptare, Shyqeri Gjinolli, si absolvent i Fakultetit të Shkencave Natyrore, më 22 mars 1982 arrestohet dhe burgoset bashk me Daut Azemin, një muaj pas burgosjes së atdhetarit, Vahedin Azemi.
Gjatë kohës së hetuesisë në Burgun e Gjilanit, atdhetari Shyqeri Gjinolli kishte përjetuar torturat më të rënda. “Trajtimi ishte i tmerrshëm nga inspektorët e sigurimit të atëhershëm ngase ishim në një grup të organizuar që kishim me Vahedin Azemin në regjionin e Ferizajit, Kaçanikut dhe Vitisë siç edhe shkruan në aktakuzë”, përkujton Shyqeri Gjinolli në 40-vjetorin e demonstratave të vitit 1981.
Shyqeri Gjinolli dhe grupi i tij, akuzoheshin sipas nenit 136 alineja 2 LPJ 114 për kundërrevolucion të ngarkuar për veprimtari “armiqësore”, “nacionaliste”, “irredentiste” dhe “separatiste”.
Më datën 2 gusht 1982, dënohet me 5 vite burgim. Pas 18 muajve në Burgun Hetues të Gjilanit, pjesën tjetër e mbajti në burgun famëkeq të Gjurakovcit (Gurakoc).
Megjithëse kishte përjetuar tortura të rënda gjatë tërë kohës së hetimeve, atdhetari i përkushtuar, Shyqeri Gjinolli, asnjëherë nuk ishte thyer nga ideali me të cilin ishte brumosur nga koha e fëmijërisë!
Dyzetvjetori i demonstratave të Pranverës së Madhe 1981, Shyqeri Gjinollin e gjen në detyrën e arsimtarit të biologjisë si një mësues i mirë, si pedagog i shkëlqyeshëm dhe atdhetarë i devotshëm i çështjes kombëtare. Pavarësisht rrethanave të vështira ekonomike, pavarësisht ndjekjes,diferencimit dhe burgosjes, nuk është ndalur, as nuk është thyer për asnjë moment nga ideali kombëtar me të cilin ishte brumosur dhe pjekur me kohë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Nicola Orlando është takuar  të…