Si u lanë vetëm gjakovarët përballë Dervish Pashës

20 prill 21:00

Shkruan: Blerim Latifi

Pasi kishte mbyllur kontestin kufitar me Greqinë, në dimrin e vitit 1881, Sulltan Abdylhamidi, kishte marrë vendimin për të shtypur me dhunë Lidhjen e Prizrenit.

Për këtë punë ai e kishte ngarkuar gjeneralin më të mirë të tij, Dervish Pashën.  Në fillim të pranverës, ushtria e tij, e përbërë prej 30 batalionesh, ishte bërë gati për të marshuar në Kosovë. Në të hyrë të prillit Dervish Pasha e mori pa rezistencë Shkupin. Paniku ishte përhapur gjithandej Kosovës.

Në ato ditë ndodhi goditja e parë e madhe ndaj Lidhjes: pjesa më e madhe e anëtarëve të saj shkuan dhe u dorëzuan në shtabin e Dervish Pashës. Një veprim të tillë të turpshëm e bëri edhe vetë i njohuri Ali Pashë Gusia. Vetëm krahu gjakovar i Lidhjes vendosi të mos dorëzohej me asnjë çmim. Rreth 5000 luftëtarë të drejtuar nga Sylejman Vokshi dhe Mic Sokoli zunë pritat në malet afër fshatit Slivovë.

Me 20 prill 1881, si sot 140 vjet më parë, aty nisi beteja tragjike, fati i të cilës dihej qysh në fillim. rreth 5000 luftëtarë shqiptarë, të armatosur vetëm me pushkë, nuk mund të ndalnin dot 30 batalionet e ushtrisë osmane, të mbështetura nga artileria e rëndë.Megjithë pabarazinë e madhe të forcave, rezistenca shqiptare zgjati tërë ditën.

Në përpjekje për të neutralizuar artilerinë osmane që po sakatonte vijat e frontit të luftëtarëve shqiptarë, do të vritej vetë prijësi i tyre, Mic Sokoli nga Malësia e Gjakovës. Në mbrëmjen e asaj dite tragjike malet dhe fushat e Slivovës nxinin nga trupat e të vrarëve.

Dervish Pasha, para se të nisej për në Prizren, lëshoi urdhërin që trupat e shqiptarëve të vrarë të mos lejohej të varroseshin por të mbeteshin ashtu mbi tokë si ushqim për kafshët e egra.Sylejman Vokshi, me luftëtarët e fundit të tij, u tërhoq në Malësinë e Gjakovës, prej nga do të rezistonte edhe për katër vite të tjera, derisa u kap nga ushtria osmane gjatë një akti tradhtie.

Kështu u mbyll tragjikisht edhe një kapitull në historinë e shqiptarëve.

Në foto: varri i Mic Sokolit në Slivovë, Ferizaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka takuar sot…