Siguria në komunat në veri të Kosovës s’është e kënaqshme

09 maj 2021 | 20:04

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, thotë se ngjarja e së dielës në Komunën e Zubin Potokut është dëshmi se gjendja e sigurisë publike dhe sundimi i ligjit në komunat në veri të Kosovës nuk është në nivel të kënaqshëm.

Gjatë së dielës, një grup i qytetarëve, nën organizimin e “Kosovo Mountain Club”, ishte nisur për ecje në malet e Zubin Potokut, por është detyruar të ndryshojë rrugë, pasi disa persona ende të panjohur kanë shtënë me armë zjarri ndaj tyre. Në këtë incident nuk ka pasur persona të lënduar.

“Me t’u njoftuar për ngjarjen, kam kërkuar nga drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë. Ky incident dhe të tjerët si ky, na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në komunat veriore të vendit, si në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, nuk është në nivel të kënaqshëm”, tha ministri Sveçla.

Sipas Sveçlës, forcimi i sigurisë publike në tërë territorin e Kosovës është synimi kryesor i Qeverisë së Kosovës.

“Këtë mendojmë ta adresojmë përmes dy drejtimeve: së pari duke luftuar krimin dhe kontrabandën në atë pjesë të vendit dhe, së dyti, duke rritur bashkëpunimin me qytetarët tanë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke biseduar për shqetësimet e tyre të sigurisë si dhe duke i adresuar ato”, shtoi ai.

Incidentin në fshatin Kopilicë të Zubin Potokut e ka dënuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo tha se çdo qytetar i Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të vendit.

“Ftoj organet e rendit dhe hetuesisë që ta vazhdojnë punën në mënyrë që sa më parë t’i zbulojnë dhe dënojnë autorët e këtij akti kriminal që synon përhapjen e frikës dhe ndjenjës së pasigurisë në atë pjesë të vendit tonë”, tha Osmani.

Nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, “Kosovo Mountain Club” tha se të gjithë pjesëmarrësit që morën pjesë në ecjen në Zubin Potok janë mirë dhe se ata kanë lajmëruar këtë incident tek organet përgjegjëse.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetarja e komisionit parlamentar…