Sindikata e punëtorëve dhe bordi i Telekomit raportuan në Komisioni Hetimor

25 prill 2019 | 16:22

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lahi Balaj, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, dhe kryetarja e Bordit të kësaj ndërmarrjeje, Besa Shatri-Berisha, kanë raportuar të enjten në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

Para anëtarëve të këtij komisioni, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë se si pasojë e mungesës së kontratës për sistemin e mirëmbajtjes, Telekomit i janë larguar rreth 120 mijë klientë. “Ka një muaj e gjysmë që kam marrë këtë pozitë, por jam përmbi dhjetë vite brenda Telekomit dhe kam qenë i njohur për sfidat në këtë ndërmarrje. Nuk është që nuk ka mundësi të krijohet një stabilitet në Telekom. Në momentin që kam marrë pozitën e kryeshefit të Telekomit kam thirrur menaxhmentin për të krijuar mundësi dhe për të sjell një stabilizim aty. Ne ka kohë që nuk kemi sistem të mirëmbajtjes dhe si pasojë e kësaj 120 mijë klientë janë larguar nga rrjetet tona. Sot ne jemi duke kërkuar mundësi t’i përdorim mekanizmat e shtetit që ato para që i kanë përgjegjësi ndaj Telekomit të kthehen në Telekom”, ka pohuar Istrefi.

Ai ka shtuar se Telekomi i ka alarmuar edhe institucionet e vendit që nëse nuk arrihet kontrata për sistemin e mirëmbajtjes, e cila kushton 6.5 milionë euro atëherë do të ketë rrezik të bien të gjitha shërbimet. “Duke e parë gjendjen e vështirë që është momentalisht ne i kemi alarmuar institucionet tona që ka mundësi që të bien të gjitha shërbimet si pasojë e mospasjes së kontratës të sistemit të mirëmbajtjes cila kushton 6.5 milionë euro”, ka bërë me dije kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi.

Ai ka kërkuar mbështetje institucionale për një garanci në vlerë prej 6.9 milionë euro. “Kërkojmë nga qeveria që të jetë garantuese për një garanci bankare në vlerë 6.9 milionë euro në mënyrë që të kemi mundësi të investojmë dhe të jemi konform trendeve”, ka thënë ai.

Istrefi ka shprehur gatishmëri që në çdo kohë të jetë në dispozicion të dhënies së informatave rreth proceseve në këtë ndërmarrje si për OJQ-të ashtu dhe për palët e interesuara.

Sipas tij, nga ngecja e investimeve kapitale Telekomi ka humbur 6 milionë euro. “Prej viti 2009 e deri në vitin 2017 ne kemi lëndë nëpër gjykata që janë trajtuar për borxhe. Vlera e tyre arrin deri në 13.5 milionë euro”, është shprehur ai.

Ndërkaq duke folur rreth dilemave të ngritura për kompaninë “Artillery One”, Istrefi ka thënë se është nënshkruar marrëveshje me këtë kompani por jo për çështjet në dokumentet  konfidenciale.

Ai ka theksuar se “Artillery One” nuk ka qasje në financat e Telekomit.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Isftrefi, ka bërë me dije se do të reduktojë edhe shpenzimet në marketing.

Ndërsa, kryetarja e Bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, ka theksuar se kjo ndërmarrje ka nevojë për financim. “Telekomi është në rënie dhe investime nuk ka. Probleme kyçe janë edhe mbyllja e borxhit me Z-Mobile, kalimi në kodin 383 dhe mbyllja e borxheve të tjera”, ka thënë ajo.

Besa-Shatri ka pohuar se kontratat e Telekomit me operatorët e jashtëm, menaxhmenti dhe bordi aktual nuk ka mundësi t’i shkëpusë pasi që janë në pamundësi të shkëputjes.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lahi Balaj, ka thënë se dëmet që janë shkaktuar në këtë ndërmarrje datojnë që nga viti 2018 dhe janë të mëdha.

 

Kulmi i shkatërrimit, sipas tij ka filluar në momentin që menaxhmenti i Telekomit ka filluar të lidhet me politikën.

Sa i përket deklaratave se Telekomi është afër falimentimit, ai ka thënë se deklaratat e tilla janë të papranueshme dhe po dëmtojnë reputacionin e Telekomit. “Nëse falimenton Telekomi do të falimentojë edhe vetë shteti. Prandaj, deklaratat e tilla duhet të ndërpriten”, ka thënë Balaj.

Sa i përket privatizimit, ai ka thënë se Sindikata është kundër privatizimit të Telekomit.“Ne jemi duke ia ulur çdo ditë vlerën Telekomit, sidomos me deklaratat që dalin në opinion. Faji nuk është i punëtorëve që jemi në këtë gjendje, por ish menaxhmenteve dhe bordeve. Nëse menaxhohet mirë, atëherë jemi të bindur se vlerën Telekomi do ta kishte 1 miliardë. Nëse dëshironi ta privatizoni këtë ndërmarrje për 26 milionë euro na tregoni një javë përpara, sepse kaq mundë të shesim vetëm hekura”, u shpreh Balaj.

/Epoka e re/ A. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 29-vjeçar i dënuar me 23 vjet burg u lirua…