Situata e sigurisë në Malishevë vlerësohet stabile

11 korrik 2019 | 15:17

Komuna e Malishevës vazhdon të jetë një prej vendeve më të qeta dhe më stabile në fushën e sigurisë së përgjithshme, në veçanti në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka rënie të vjedhjeve, por ka edhe rritje të zbulimit të rasteve të veprave penale. Kështu është bërë me dije në mbledhjen e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e cila është drejtuar nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Gjatë raportimit në këtë mbledhje, komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, ka thënë se në raport me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, gjendja është shumë më e mirë dhe në këtë ka ndikuar vendosja e kamerave të sigurisë në qytet.

Gjatë raportimit dhe krahasimit me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, kapiteni Krasniqi ka thënë se ka rënie të rasteve të vjedhjeve, ku nga 34 raste të regjistruara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, këtë vit janë regjistruar vetëm pesë raste. Sipas tij, zbulueshmëria e rasteve është rritur për 20 për qind, dhe kjo sipas Krasniqit është rezultat i vendosjes së kamerave dhe rritjes së aktiviteteve policore për rreth 20 për qind më shumë.

Sa i përket shërbimeve emergjente, sipas drejtorit komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, në gjashtëmujorin e parë ka pasur më pak raste emergjente. Sa i përket situatës me EHKK, Gashi ka bërë me dije se është duke vazhduar dezinsektimi i zonave endemike, përkatësit deri më tani janë dezinfektuar 24 zona, të cilat llogariten si zona endemike.

Temë tjetër e diskutuar në këtë mbledhje, ishte edhe siguria në shkolla dhe përfundimi i vitit shkollor, ku sipas drejtorit të Arsimit, Blerim Thaçi, siguria në shkollat e Komunës së Malishevës, është në nivel të kënaqshëm.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Klinës, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit…