S’ka datë se kur do të mbahet tryeza për presidentin, Hoti thotë se me këtë po merret Mustafa

09 dhjetor 2020 | 16:45

Kryeministri i Kosovës dhe nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do të mbahet tryeza e partive politike për çështjen e presidentit.

Ai ka thënë se me këtë çështje është duke u marrë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Hoti ka theksuar se nëse nuk ka gatishmëri për zgjedhjen e presidentit, partitë politike duhet të dakordohen për datën e zgjedhjeve parlamentare.

“Unë pres që sa më parë të organizohet tryeza e partive politike, për të parë gatishmërinë e partive politike për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit. Nëse ka gatishmëri tek pastaj ne duhet të ulemi dhe bisedojmë cilën qasje duhet të ndjekim. Ne kemi dëgjuar në medie që janë dhënë propozime të ndryshme nga disa prej partive politike, por ne duhet të ulemi në tryezë të partive politike parlamentare për të bërë pyetjen elementare. Ka gatishmëri për gjetur zgjidhje për president, nëse ka mandej do të caktojmë kriteret dhe qasje për të dalë tek emri konkret i presidentit. E nëse nuk ka gatishmëri ne duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Hoti pas vizitës në Komitetin Olimpik të Kosovës.

I pyetur se kur mund të organizohet ky takim, Hoti ka thënë se po bëjnë përpjekje që të realizohet sa më shpejtë i njëjti. “Kryetari Mustafa është duke u marrë me këtë çështje”, është shprehur Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besarta Shahini shpall te pavlefshme diplomen e SHMLM "Dr Xheladin…