S’ka qetësi në KQZ, ndërpritet mbledhja

09 shkurt 2021 | 16:12

Është mbyllur nën tensione mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Kjo pas deklaratave të përfaqësuesit të Vetëvendosjes në KQZ, Alim Rama.

Ai ka thënë se video-mesazhi për t’u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk duhet të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin dhe që sipas tij është duke e konsideruar veten person të urryer.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se do të realizojë videomesazhe për votuesit që do të votojnë më 14 shkurt, ndërsa përfaqësuesit e LV-së në KQZ e kanë pyetur se si mund t’u dalë qytetarëve në video, kur ajo ka deklaruar se është personi më i urryer në Kosovë.

“Ju vetë kryesuese keni deklaruar se jeni personi më i urryer në Kosovë. Nuk po e shoh të arsyeshme që tash video-ftesa të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin. Unë kisha kërkuar që KQZ-ja si e tërë të bëj thirrje votuesve për zgjedhje”, ka thënë Rama.

Pas kësaj deklarate të përfaqësuesit të LV-së, ka reaguar Daka. “A e keni pyetur ndonjëherë veten se pse kam deklaruar ashtu”, ka thënë Daka.

Në ndërkohë Rama,  ka thënë se ajo vetë e ka pranuar një gjë të tillë , përgjigje pas së cilës, Daka bashkë me anëtarët e tjerë e kanë lëshuar sallën dhe kanë braktisur mbledhjen e KQZ-së.

“Po sepse ju vetë votuat që mos t’ia lejoni qytetarëve që të votojnë të shtunën apo t’i dërgojnë votat të shtunën”, ka thënë Rama.

Ndërsa pas lirimit të mbledhjes, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Sami Kurteshit, i cili këtë veprim të Dakës dhe të tjerëve e ka cilësuar “qyqarë”.

“Kjo është mënyrë qyqare e mbylljes së një mbledhje. Është një pyetje që u bë. Nëse e bën një pyetje atëherë duhet ta dëgjosh përgjigjen. Ti vet ke deklaruar që je personi më i urryer”, ka thënë Kurteshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për 120 minuta lojë nuk u shënua asnjë gol në…