SLAVA UKRAINI, LAVDI LPK

19 maj 2022 | 11:34

Shkruan: Ragip Shala

Slava Ukraini, refreni që ka mbërthyer shtetet evropiane, SHBA dhe Kanadën në shenjë mbështetjeje, solidarizimi me luftën e ushtrisë ukrainase kundër invazionit rus në Ukrainë. Për 10 javë luftë, Ukrainës i janë ndarë mbi 1 miliard $ ndihma ushtarake, armë më të sofistikuara si Stinger, Javelin, artileri të rëndë nga qytetërimi perëndimorë. Luftës së ushtrisë ukrainase po i qëndron në ballë presidenti Volodymyr Zelensky, i cili nga frontët e luftës përmes videokonferencave po u adresohet kryeqyteteve evropiane, SHBA, Kanadës etj. Kongresi amerikan, Bundestagu gjerman, Parlamenti britanik, francez, italian, izrailien, japonez etj, janë ngritur në këmbë duke brohoritur njëzëri Slava Ukraini, Slava Ukraini! Së fundmi, Ukraina u shpall fituese e edicionit të 66-të të Eurovisionit në Torino, që në shenjë solidariteti me luftën ukrainase e tërë salla shpërtheu: Slava Ukraini, Slava Ukraini… Meqë qytetërimi evropian po mbrohet në Ukrainë nga ekspansioni i hegjemonizmit rus, prandaj lufta ukrainase kundër invazionit rus ka mbështetje të shumanshme evropiane dhe përtej Atlantikut. Por në mbrojtje të qytetërimit evropian pos Ukrainës veçohet edhe veprimtaria e LPK-së, e cila me kundërvënien e saj ndaj nacionalizmit, shovinizmit dhe hegjemonist serb gjithashtu mbrojti qytetërimin evropian, por që nuk pati mbështetjen e duhur?! Lufta e UÇK-së kundër okupimit serb, në krahasim me luftën e tanishme ukrainase qe krejt ndryshe, UÇK-ja nuk u themelua nga institucionet shtetërore, u themelua nga LPK-ja, mbështetjen politike, diplomatike, ushtarake, financiare kishte vetëm nga LPK-ja, s’kishte mbështetje tjetër. LPK-ja, doli në sipërfaqe mbase Pranverës Republikane të ‘81-s, bashkë me Solidarnostin polak përbëjnë dy subjekte politike të vetme kundërvënieje ndaj hegjemonizmit sllavë. Kundërvënia e LPK-së, ndaj nacionalizmit, shovinizmit dhe hegjemonizmit serb, para, gjatë dhe pas shpërbërjes së RSFJ, ka rezultuar me themelimin e UÇK-së, si dhe zgjerimin dhe forcimin e saj. Mospjesëmarrja e Kosovës në Konferencën e Dejtonit shteroi iluzionin e “lëvizjes jo violente” për arritjen e pavarësisë së Kosovës me metoda “gandiste”, dhe forcoi më tej bindjen se vetëm lufta çlirimtare do t’i sillte lirinë Kosovës. Zhytja në dekadencë e “institucionistëve” me refrenin e të premtes se “Kosova ka hyrë në agjenda” nuk do sillte asgjë, pos pacifizim të gjithanshëm, përkulje dhe poshtërim përballë okupimit serb. Pikërisht në këtë kohë, LPK-ja do ta themeloi UÇK-në, duke i qëndruar në ballë në të gjitha etapat e zhvillimit të saj me të gjitha format dhe mjetet. Lufta çlirimtare e UÇK-së kundër okupimit serb, përbënë një luftë krejt të veçantë në krahasim me luftërat çlirimtare në nivel global, sidomos në krahasim me luftën ukrainase. Të veçantën e luftës së UÇK-së e përbëjnë dy fronte përballjeje me forcat okupuese serbe: fronti i luftës konvecionale dhe fronti i luftës speciale. Të dy përballjet kanë qenë të pabarabarta, por që janë përballuar me përkushtim, angazhime vullnetare dhe sakrifica të pashembullta nga LPK-ja. Derisa forcat okupatore serbe janë mbështetur nga superstrukturat shtetërore, lufta çlirimtare e UÇK-së s’kishte një mbështetje të tillë. Lufta e UÇK-së, ishte një luftë çlirimtare kur në Kosova s’kishte kurrfarë institucione, s’kishte Kuvend, s’kishte qeveri, kur Kosova s’kishte përfaqësime diplomatike, s’kishte sistem bankar, s’kishte spitale ushtarake, s’kishte kazerma me kuzhina, s’kishte as mjete të komunikimit masivë, s’kishte plotë e plotë mekanizma shtetërorë që do t’i shërbenin luftës në çdo kohë dhe hapësirë. Këtë vakuum të mekanizmave shtetëror, LPK-ja e ka përballuar në fronte ushtarake, diplomatike, financiare, furnizuese, informative, mobilizuese dhe rekrutuese pa ndihmën e askujt, tërësisht me forca vetanake. Ishte diplomacia e LPK-së, në përballje me luftën speciale që ka përmbysur propagandën e tmerrshme për “marksizëm – lenininizmin” e UÇK-së, pastaj për “fundamentalizmin islamik” si dhe për “veprimtarinë terroriste” etj. Ishin anëtarët e LPK-së që bartën barrën komanduese në efektivat luftarake të UÇK-së në të gjitha frontet. Ishin anëtarët e LPK-së që me krahë furnizuan UÇK-në me armatime, që mobilizoi mërgatën shqiptare për të mbështetur luftën e UÇK-së, pastaj rekrutoi mijëra vullnetarë mërgimtarë si dhe organizoi disa qindra demonstrata në kryeqytetet evropiane, si dhe disa dhjetëra Konferenca shtypi në selinë e OKB në Gjenevë. LPK-ja, ishte fillim e mbarim në mbështetje të luftës së UÇK-së, kundër okupimit serb, kundër ekspansionit hegjemonist serb në gadishullin ballkanik. Veprimtaria çlirimtare e LPK-së, krahas shtetit Ukrainas përbënë digën mbrojtëse të qytetërimit evropian përballë ekspansionit të hegjemonizmit sllav. Prandaj: Slava Ukraini! Lavdi LPK-së!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Legjenda e futbollit ukrainas, Andriy Shevchenko është takuar me Volodymyr…