Sokoli: Gjashtë skuadra luftojnë për titull

16 gusht 2019 | 11:14

Kampionati i ri futbollistik në Kosovë fillon në këtë fundjavë. Trajneri Bylbyl Sokoli në një intervistë për “KosovaPress” ka thënë se sezoni i ri pritet të jetë më interesanti që ishte ndonjëherë në Kosovë. Fakti që katër skuadra bien nga Superliga dhe shumë skuadra të tjera që luftojnë për titull e bëjnë këtë kampionat shumë interesant.

“Ekipet kanë filluar përgatitjet. Ka shumë ndryshime. Shumë futbollistë kanë ardhur në Kosovë, sepse e kanë gjetur si treg të përshtatshëm. A janë këto përforcime cilësore apo ajo do të dëshmohet në kampionat. Pjesa tjetër që dihet është se lufta për ekzistencë dhe lufta për dalje në Evropë do të jetë me një konkurrencë mjaft e fuqishme. Dihet që tashmë nga rangu largohen katër ekipe drejtpërdrejt. Nuk kam idenë se si do të duket liga vitin e ardhshëm, por këto çështje me siguri do të rregullohen në ditët në vijim”, ka thënë Sokoli.

I pyetur për tri skuadrat që kualifikohen në garat evropiane sezonin e ardhshëm, Sokoli u përgjigj se do të jenë më shumë se tri skuadra që do ta synojnë Evropën, duke parë edhe transferimet që skuadrat kanë bërë, si dhe fondin e lojtarëve të tyre. “Nuk mund t’i ndajmë në tri skuadra, janë më shumë skuadra që mund të dalin në Evropë, por gjithsesi Feronikeli, Prishtina, Gjilani, Ballkani, Llapi janë këto ekipe që kanë sjellë shumë lojtarë cilësorë. Nuk duhet përjashtuar as ekipet e tjera për arsye se kanë mjaft lojtarë të dëshmuar në përbërjet e tyre. Ekipi më i suksesshëm do të jetë ai që ka vazhdimësi në punë, i cili çdo vit përforcohet vetëm aty ku i nevojitet dhe të tillë janë Feronikeli dhe Prishtina”, ka shtuar Sokoli.

Ndërsa sa i përket luftës për titull, Sokoli renditi Feronikelin, Prishtinën, Dritën, Gjilanin, Ballkanin, Llapin si skuadrat pretendente. Ai, ndër të tjera, tha se edhe Dukagjini është aty afër, por më shumë i sheh gjashtë skuadrat e lartpërmendura në pjesën e epërme të renditjes tabelore. “Kandidatët për titullin i kisha ndarë me këtë renditje: Feronikelin, Prishtinën, Dritën, pastaj Gjilanin, Ballkanin dhe Llapin. Sa kanë lojtarë cilësorë do të shihet në kampionat. Ende në Kosovë kemi tendenca ta përforcojmë ekipin me shumë lojtarë e që më të suksesshëm janë ekipet që në ekip sjellin dy, tre futbollistë dhe jo 15 lojtarë që do të thotë se komponimi është më i vështirë”, ka deklaruar Sokoli.

Kujtojmë se java e parë e stinorit të ri të Superligës do të sjellë disa ndeshje interesante, e ku veçohen dy derbit lokal: Flamurtari – Prishtina dhe Feronikeli – Drenica. Tri ndeshje do të luhen të shtunën, ndërsa tri ndeshjet e tjera do të luhen të dielën. Të gjitha ndeshjet e javës së parë fillojnë nga ora 17:00.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modeluesja Demi Rose njihet për imazhet provokuese në të cilat…