Sot pritet rizgjedhja e Ademit në krye të FFK-së

06 prill 2022 | 07:56

Kuvendi i shumëpërfolur për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahet sot (e mërkurë) me vetëm një kandidat për kryetar, Agim Ademin. Gramoz Vokrrit iu pamundësua garimi. FFK-ja ka përjashtuar edhe mediet nga ky takim, me arsyen se nuk ka hapësira të mjaftueshme/

Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbahet sot (e mërkurë) me fillim nga ora 11:00 në selinë e FFK-së. Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit, e cila me këtë rast bëri me dije se mediet nuk do të jenë të pranishme, në përjashtim të “Art Motion” e cila do ta bëjë transmetimin e drejtpërdrejtë të kuvendit.

“Federata e Futbollit e Kosovës ju njofton se nesër (më 6 prill 2022), me fillim nga ora 11:00, do të mbahet Kuvendi i Rregullt Zgjedhor. Kuvendi mbahet në selinë e FFK-së. Për shkak të hapësirës dhe numrit të kufizuar të pjesëmarrësve, ju bëjmë me dije se kësaj radhe është e pamundur të krijojmë hapësirë edhe për mediet për përcjelljen e kuvendit. Megjithatë, Kuvendi do të transmetohet drejtpërdrejt në ‘Art Motion’ si dhe në rrjetet sociale të FFK-së, prandaj të gjithë ecurinë e Kuvendit do të mund ta ndiqni drejtpërdrejt. Pas përfundimit të Kuvendit, presidenti Ademi, njëherësh kandidati i vetëm në zgjedhjet e 6 prillit, do të jetë në dispozicion për të dhënë prononcime dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Agim Ademi është kandidati i vetëm në garë për kryetar të FFK-së pasi Gramoz Vokrri u eliminua nga kjo garë për shkak të disa nënshkrimeve të delegatëve të cilat ishin shpallur të pavlefshme. Siç dihet, Gjykata Themelore e Prishtinës të hënën ia ka refuzuar ankesën Gramoz Vokrrit. Ky i fundit ishte ankuar në gjykatë, se Kuvendi Zgjedhor i FFK-së është i parregullt. Por, kjo gjykatë e ka vlerësuar të pabazë ankesën e tij.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, do të vizitojë Bosnjën këtë…