Specialja, përfundon dëshminë dëshmitari i gjashtë. Ja çfarë deklaroi ai

23 maj 2023 | 13:20

Dëshmitari i gjashtë me kodin 4355, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Jakup Krasniqit, avokatit Aidan Ellis ka thënë se në vitin 1998 ka tentuar të kontaktojë me Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin.

Këtë ai e kishte bërë pasi që sipas tij, iu kishin thënë se të njëjtit janë kryesorët e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kur iu lexua një pjesë e deklaratës së tij në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS-së) se “Prokurori të ka pyetur kush ishte në atë kohë Adem Demaçi, dhe ti je përgjigjur ‘Në atë kohë ata thonin që ishte kryesori, thonin është mbi UÇK-në’, do të ishe përsëri përgjigja juaj kjo’’, ai tha se ‘në atë kohë ashtu e thoshin, në atë kohë’.

Ai po ashtu tha se njerëzit i kishin thënë se Adem Demaçi ishte përfaqësuesi politik i UÇK-së, andaj edhe kishte shkuar në Prishtinë.

Tutje, ai tha se edhe kishte shkuar në fshatin e Jakup Krasniqit për ta takuar atë së bashku me nënën e tij, por që nuk e kishin gjetur dhe se për çështjen e tyre s’kishin biseduar me të.

Ai edhe për deklarimin e tij para prokurorisë se Krasniqi ishte mbi ushtrinë, tha se e kishte thënë se kishte kuptuar se ai ishte zëdhënës i UÇK-së.

Dëshmitari i gjashtë në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Eric Tully tha se fshatarët kanë bërë roje natën nga frika prej forcave serbe.

“Bojshin roje, e runin fshatin nga forcat serbe, kishin frikë natën mos po hijnë e me dhon alarm që ka diçka’’, tha ai.

I pyetur se a ka qenë e zakonshme që edhe fshatrat tjera ta bëjnë këtë roje natën, përmbajtja ka qenë e redaktuar.

Dëshmitari u përgjigj edhe në disa pyetje nga trupi gjykues por që shumica e tyre kishin përmbajtje të redaktuar.

Dëshmitari i gjashtë është përgjigjur edhe në pyetjet e prokurorit të specializuar, Matt Halling.

Ky i fundit ka kërkuar që të kalohet në sesion privat për disa pyetje.

Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë Thaçi, Veseli dhe Selimi, kurse Krasniqi është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.

Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt, dëshmia e të cilit përfundoi më 17 maj.

Tutje, dëshmitari i pestë ka filluar dëshminë më 17 maj dhe e përfundoi më 22 maj, ku filloi dëshminë dëshmitari i gjashtë.

Në këto rrethana, dëshmitari i gjashtë ka përfunduar dhënien e dëshmisë së tij dhe ka filluar dëshminë dëshmitari i shtatë në këtë çështje, i cili po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e ZPS-së, fillimisht në sesion privat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me kontratën që i skadon në fundin e sezonit aktual,…