Spitali i ri që e përuruan Osmani dhe Kurti në shtator, akoma jofunksional

10 dhjetor 2021 | 11:44

Spitali i ri i Pediatrisë në Kosovë, gurthemeli i të cilit ishte vënë gati 6 vite më parë, e i cili është përuruar gjatë muajit shtator, ka mbetur i pafunksionalizuar. Kjo pasi 22 milionët e ndarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta funksionalizuar spitalin edhe pas 5 viteve përgatitje.

Spitali i ri i Pediatrisë i cili është përuruar nga kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, e ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 13 shtator të këtij viti, ende nuk është funksionalizuar.

Në këtë spital i cili është përuruar që gati tre muaj, deri tani nuk është dhënë as edhe një shërbim.

Funksionalizimi i tij pritet të ndodh në fund të muajit janar apo fillim të muajit shkurt të vitit të ardhshëm, që i bie gati 5 muaj nga përurimi i tij.

Pediatri Ramush Beiqi ka thënë për “Express” se spitali nuk ka filluar me dhënien e shërbimeve për shkak të mungesës së pajisjeve elektronike e disa aparaturave.

Ai ka thënë se këto pajisje janë donacion nga Emiratet e Bashkuara, por për shkak të procedurave administrative të prokurimit, spitali nuk do të mund të funksionalizohet para muajit janar.

Ndërsa përkundër që funksionalizimi i tij do të bëhet gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm, të gjithë shërbimet shëndetësore nuk do të fillojnë të ofrohen atëherë.

“Spitali nuk është funksionalizuar për shkak të mungesës së disa pajisjeve elektronike, mungesës së aparaturës për kirurgji dhe ortopedi. Të gjitha këto janë arritur të bëhen si donacion nga Emiratet Arabe, por ato kërkojnë procedura administrative të prokurimit. Ne do të fillojmë gradualisht, e kemi planin e dinamikës të transferit që shërbimet i transferojmë një nga një që të mos dështojmë diku dhe besoj që do të shkojë gjithçka mirë”, ka thënë ai.

Beiqi ka treguar se në fillim do të transferohen ambulancat specialistike, e pas tyre shërbimet diagnostike, e kirurgjia.

“Është një rrezik i madh nëse ne do t’i kishim transferuar shërbimet për një ditë atje. Do të transferojmë fillimisht ambulancën specialistike, diagnostikën, pastaj do të bëjmë transferin e gjysëmintensives dhe do të bëjmë transferin e kirurgjisë së fëmijëve dhe intensivën”, ka theksuar ai.

Më tutje, Beiqi ka thënë se ata kanë kërkuar staf shtesë për shërbimet që do të ofrohen në këtë spital, pasi që sipas tij, me stafin aktual nuk do të mund të mbulohen shërbimet që ofrohen.

“Të gjitha klinikat kanë bërë kërkesën e stafit të nevojshëm. Ne i kemi bërë kërkesat tona duke filluar nga sigurimi, pastërtia, stafi që mban rendin e deri te stafi i mesëm dhe stafi i lartë mjekësor. Është një emergjencë e re, është një njësi intensive pediatrike e re dhe nuk mundet me stafin aktual me u mbulu të gjitha ato shërbime që do të ofrohen atje, e mos të flas për sallën e kardiokirurgjisë”, ka shtuar ai.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Murat Berisha ka thënë për gazetën se me funksionalizimin e spitalit, i gjithë stafi i kirurgjisë së fëmijëve do të kaloj në spitalin e ri. Njëjtë do të transferohet edhe stafi i Klinikës së Pedistrisë.

Në lidhje me vonesat në funksionalizimin e këtij spitali, nga Ministria e Shëndetësisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Kujtojmë që gurthemeli i spitalit të ri Pediatrik-Kirurgjik, ishte vënë qysh në mars të vitit 2016 nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, atë kohë ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Realizimi i këtij projekti ishte paraparë të përfundojë në vitin 2018.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BIG BROTHER- Ish-konkurrentja e Big Brother këngëtarja Filloreta Raçi ose…