Strakosha: Krenar që jam shqiptar

14 nëntor 2019 | 15:04

“Nga babai tek i biri. Ashtu si në historinë e Lazios. Tashmë do të jetë radha e Thomas Strakoshës, i cili do të mbrojë portën e Shqipërisë në mbrëmjen e së dielës, një natë historike për kuqezinjtë, që do kenë përballë Francën kampione bote, por edhe në inaugurimin e stadiumit të ri, i ringritur nga rrënojat e “Qemal Stafës”. Të njëjtën gjë ka bërë edhe babai i tij, në vitin 2004, duke mundur kampionët e Evropës në atë kohë, Greqinë”, kështu e nis shkrimin “Corriere dello Sport” duke ju referuar një interviste speciale që ka bërë me gardianin e Lazios.

Përshëndetje Thomas, çfarë ndjenjash do të përjetosh mes shtyllave, në stadiumin e ri të Tiranës?
Do të presim kampionët e Botes, Francën. Të luash kundër një ekipi kaq të fortë do të thotë të testosh veten dhe të përpiqesh të bësh një performancë të shkëlqyer. Një motiv tjetër është përurimi i stadiumit të ri. I bukur, modern, i sapo rinovuar. Maksimumi për një futbollist. Dhe, nëse mendoj se babai im ka luajtur në stadiumin e vjetër, do të jetoj një emocion të veçantë.

Duke menduar babanë tuaj, portierin e Shqipërisë në stadiumin e vjetër, çfarë imazhi ju kujtohet?
Ndodh që koha fluturon…, janë emocione të bukura. Ndeshjen e tij të lamtumirës me Shqipërinë isha në stadium me familjen. Nëse mendoj se jam bërë profesionist dhe tani mbroj portën e ekipit kombëtar, në të njëjtin stadium të rikonstruktuar në Tiranë, dridhem nga emocionet. Ishte viti 2004. Shqipëria fitoi 2-1 kundër Greqisë, që sapo ishte shpallur kampione Evrope. Unë isha 10 vjeç. Tashmë e kisha vendosur që të bëhesha portier, pasi të rritesha. Në fund të lojës nuk hyra në fushë. Mamaja u sigurua që babai, së pari të festonte me ekipin, pastaj me familjen. Mbaj mend Brigelin, ish-trajnerin. Ai e kishte detyruar të vazhdonte të luante, nuk e linte të ndalonte. Babai im prej kohësh kishte dashur të tërhiqej.

Të dielën babai juaj do të jetë në tribunë?
Po, e gjithë familja. Do të jetë një mbrëmje speciale, e çuditshme. E kundërta me atë që ka ndodhur. Më parë shkonim të gjithë për të, ndërkohë që tashmë, vijnë të gjithë për mua.

Sa i rëndësishëm ka qenë në karrierën tënde?
Familja ka qenë vendimtare. Miliona fëmijë duan që të bëhen futbollistë, por pak e arrijnë. Njerëzit e mijë gjithmonë më kanë qëndruar pranë, më kanë dhënë këshilla. Babai im ka qenë gjithmonë pranë për të më dhënë këshilla. Kur isha 15 vjeç kuptoi që doja të bëhesha futbollistë dhe më ndihmoi që të përmirësoja teknikën.

Cilat janë disa nga këshillat që ua përsërit shpesh?
Më njeh mirë dhe e di që dua të përmirësohem. Më këshillon që të jem gjithmonë i përqendruar dhe që të bëj gjërat që më argëtojnë. Gjërat e tjera vijnë më pas.

Jeni rritur në Athinë, por ndiheni shumë shqiptarë
Për këtë gjë falënderoj familjen, për edukimin që më ka thënë që kur kam qenë fëmijë. Kurrë nuk duhet harruar origjina. Për familjen time, Shqipëria do të thotë shumë. E dua dhe e respektoj Greqinë, atje kam lindur, por ndihem shqiptar dhe krenar që jam. /Koha Jone/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia dhe doganierët sllovenë kapën 730 kilogramë heroinë në portin…