Strategjia e shërbimit sekret serb për ta shkatërruar strukturën e UÇK-së pas vitit 2000 e këndej (4)

17 maj 2021 | 11:14

Faton B. MEHMETAJ

Këtë luftë të ndyrë të shërbimit sekret serb duke përpiluar dosje të rreme e të kamufluara kundër UÇK-së më së miri e tregon rasti i arrestimit të tre serbëve nga Policia e Kosovës më 11 qershor të vitit 2009 në fshatin Çagllavicë (në jug të Prishtinës): Igor Juçinacit (1972) shtetas i Kosovës, Millutin Radanoviqit (1957) shtetas i Serbisë dhe të Predrag Zhelkoviqit (1976), shtetas i Serbisë, nënë dyshimin se kanë paguar njerëz në shuma deri në 100.000 euro, për të ofruar dëshmi të rrejshme kundër UÇK-së. Këta tre persona ishin pjesëtarë të Agjencisë Serbe të Inteligjencës (Bezbednosno Informativna Agencia), të cilët u kanë premtuar edhe të mira materiale njerëzve të nacionalitetit serb edhe shqiptar, si banesa, vende pune e pare kesh etj., që të deklarojnë rrejshëm se ata ose të afërmit e tyre kanë qenë viktimë të transplantimit të organeve njerëzore nga UÇK-ja gjatë luftës në Kosovë 1998-99. Akuzat e njëjta për transplant të organeve njerëzore të serbëve nga UÇK-ja i ka bërë kryepokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, në librin e saj “Gjuetia: Unë dhe kriminelët e luftës” të botuar në vitin 2008, të cilën e kam përmendur edhe më lartë. Në gjithë këtë histori një rol negativ e ka luajtur edhe administrate e UNMIK-ut, të cilët e kanë goditur elementin e UÇK-së në mënyrë sistematike të koordinuar edhe me shërbimet sekrete serbe, ushtarake dhe të inteligjencës. Në këtë fushatë të planifikuar, pati edhe zyrtarë të lartë që e mbajtën hapur anën e Serbisë, por edhe të klaneve mafioze duke i stimuluar edhe grupacionet e njerëzve anti UÇK, kundër strukturës së UÇK-së. Ndër ta ishte edhe Valerij Corotekno, ish-komandanti ndërkombëtar i policisë së UNMIK-ut, për rajonin e Dukagjinit me seli në Pejë, ishte i lidhur më rrjetin e “Klanit të Zemunit”, të cilët operonin në Kosovë, nëpërmjet kolegëve të tyre shqipfolës, Corotekno e kishte shndërruar Pejën në arenë luftimesh mes grupeve. Ai fitoj shuma të mëdha parash nga kartela e drogës dhe naftës. Kjo klasë e infektuar nga virusi i injorancës në mënyrë sistematike dhe krejtësisht të planifikuar e shembën autoritetin e njerëzve më ndikim, figurave të mëdha dhe simboleve të Kosovës. Kështu ndodhi edhe me Gjykatën Speciale e cila u formua me qëllim të gjykimit të njerëzve në mënyrë të paanshme, por pasi e arritën qëllimin doli krejt diçka tjetër, gjykatë selektive, njënacionale dhe vetëm kundër pjesëtarëve të UÇK-së. E gjithë kjo u bë për ti trajtuar e gjykuar, krimet e supozuara dhe të sajuara nga klanet e caktuara të shoqërisë sonë të cilat për 20 vite rresht u përdorën nga këto shtresa të shoqërisë për revanshe politike se sa për ta zbuluar të vërtetën. Ata ishin edhe paditës edhe gjykatës. Nga të njëjtat shtresa u përhapë psikoza e frikës nga UÇK-ja në Kosovën e lirë, kjo situatë u arrit nga njerëzit e ndihmuar prej shërbimit të fshehtë serb. Bije fjala kujt i duhen imazhet e rrejshme të Kosovës, askujt përveç armiqve. Të gjitha faktet e të dhënat tregojnë se i gjithë ky skenar ishte një komplot mirë i organizuar nga eprorët e KOS-it, UDB-së, BIA-s e shërbimeve tjera të lidhura me shërbimet ruse e të miqve të Serbisë për ta shkatërruar strukturën e UÇK-së. Gjerë më tani nga viti 2000 e gjerë në vitin 2021, janë hetuar vetëm struktura e UÇK-së, për të gjithë të tjerët është heshtur, edhe nga UNMIK-u, EULEX-i, drejtësia vendore, BE-ja e mekanizmat tjerë vendor e ndërkombëtar. Asnjë fjalë e vetme nuk u tha për bashkëpunëtorët e shërbimit sekret, për sabotazhet e tyre kundër Kosovës, për bojkotimet e të këqijat tjera që ndodhën në Kosovë e që lidhen me këtë shtresë. Shumë atentate të kryera ndaj shqiptarëve në shtetet e ndryshme të Evropës dhe më gjerë por edhe në Kosovë nga vitet ‘90-ta e deri në mbarim të luftës, duke e përfshirë këtu edhe periudhën e pas vitit 2000, këto vrasje kanë një lloji lidhshmërie me vrasjet që i kanë kryer njësitë special dhe paramilitare serbe, para luftës së fundit, gjatë dhe pas mbarimit të saj. Sa për ilustrim po e përmendi vrasjen politike të Enver Hadrit (1941- 25 shkurt 1990), i cili u vra me 25 shkurt 1990, në moshën 49 vjeçare, nga shërbimi sekret serb për shkak të veprimtarisë politike të tij. Ishte veprimtar për të drejtat njerëzore dhe politike të shqiptarëve të Kosovës. Në fillim të vitit 1972 ai u vendos në Bruksel, ku vazhdoi veprimtarinë politike nëpërmjet Organizatës Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës. Këtë vrasje e kishte organizuar shërbimi sekret serb i kohës për ta ndalur aktivitetin politik të tij. Vrasja e Enver Hadrit është tipike, vrasje politike. Shërbimi sekret serb për ta vrarë Enver Hadrin i kishte angazhuar njësinë e atentatorëve që i kishin trajnuar si pjesë të shërbimit sekret për likuidimin e kundërshtarëve politik të Serbisë. Atentatorët që morën pjesë në vrasjen e Enver Hadrit ishin: Veselin Vukotiq (Veshko), Andria Lakoniq, dhe Darko Ashanin, të cilët e qëlluan me dy plumba në kokë deri sa kishte ndaluar ne një semafor. Madje Vukotiç, përpos vrasjes së Enver Hadrit ai kishte edhe dokumente paditëse për kryerjen disa vrasjeve tjera në ish-Jugosllavi të urdhëruara nga Sllobodan Millosheviqn dhe shërbimi sekret i tij. Për këto vrasje pati edhe dëshmitar për të konfirmuar dëshmitë e tyre që kishin dhënë me parë në Tribunalin e Hagës. Ditën kur u vra Enver Hadri, e kishte me vete listën e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia të cilën do t’ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Parlamentit Evropian. Për ti zhdukur gjurmët e kësaj vrasje, shërbimi sekret serb organizoj likuidimin e Andrija Llakoniq dhe Darko Ashanin, në Serbi të cilët ishin pjesëmarrës në këtë vrasje. E përmenda këtë rast për të treguar se gjyqi për zbardhjen e vrasjes së Enver Hadrit ka zgjatur nga viti 1990 deri më 22 nëntor 2016 kur Gjykata Penale e Brukselit, në përbërje të tre gjyqtarëve profesionistë dhe të jurisë prej 12 qytetarëve të zgjedhur me short mbajti 12 seanca gjyqësore ku u shqyrtua aktakuza e Prokurorit të Mbretit e cila ngarkon Veselin Vesko Vukitiqin, Andrija Drashkoviqin (kriminelë të njohur nga nëntoka serbe) dhe Bozhidar Spasiqin (shef për operacione speciale i UDB-së jugosllave) për vrasjen me paramendim të Enver Hadrit, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Vrasësit serbë të ish-aktivistit Enver Hadri, janë shpallur fajtorë nga Gjykata Penale e Brukselit në Belgjikë. Ky rast tregon dhe inkurajon secilin se nuk duhet heshtur për vrasje politike deri sa të zbardhet e vërteta, por as nuk duhet të marrin ngjyrime politike për llogari të askujt. Sipas disa të dhënave të autoriteteve gjermane, Shërbimi sekret jugosllav për një kohë të caktuar ndoshta 10 vjeçare, kishte vrarë rreth 70 emigrantë në disa vende perëndimore. Së paku 13 raste të këtij kapitulli të përgjakshëm nuk janë mbyllur ende nga drejtësia gjermane. Gjatë luftës në Kosovë përgjegjësit e Grupit Operativ “Operativna Grupa” (OPG), që njëkohësisht ishin edhe pjesëtarë të policisë elite serbe, gjatë operacioneve të kryera nuk linin gjurmë. Pos që morën pjesë në një varg krimesh në Kosovë, këta i vazhduan aktivitetet e tyre kriminale edhe pas luftës në formë të organizuar, duke i kryer shumë vrasje me prapavijë politike për llogari të shërbimit sekret serb. Drejtuesit e OPG-së i kishin marrë urdhrat nga gjeneral të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Një dëshmitar i mbrojtur në Hagë, kolonel serb, në gjykimin e Millosheviqit pati deklaruar: Kemi pasur njësitë special të kamufluara me uniforma të UÇK-së, që kanë komunikuar shqip, dhe që kanë vrarë, dhunuar, plaçkitur dhe djegur, jo vetëm civil shqiptarë, por edhe serbë”. Në pyetjen pse? Ai është përgjigjur: “Kemi zbatuar dy urdhra nga lartë: Të vrisnim civilë dhe ta komprometonin luftën e UÇK-së”. Me veprimtari të ngjashme është marrë edhe grupi paramilitar “Munja” (Vetëtima), i përbërë prej strukturave të policisë serbe, prej kriminelëve të verifikuar, dhe grupit të vetëquajturve patriot. Ky grup merrte urdhra dhe zbatonte urdhra të eprorëve të policisë dhe të armatës. Serbët i konsideronin si legjionar, veçanërisht për sulmet e pamëshirshme që i bënin mbi civilët shqiptar. Udhëheqës i këtij grupi ishte krimineli famëkeq Vlladimir Shalipuri i cili u vra nga Avni Elezaj epror i Brigadës 131 “Adrian Krasniqi”. Pas mbarimit të luftës Avni Elezi pjesëtar i UÇK-së dhe TMK-së, u vra nga mbështetësit e grupit “Munja” me 12 tetor 2002, në afërsi të restorantit “Peja City” në shenj hakmarrje për vrasjen e Shalipurit, bashkë më Bekim Mustafën (1975) nga Klina e Poshtme e Skenderajt me banim në Arbëresh (ish-Vitomiricë) të Pejës, po ashtu pjesëtar i UÇK-së. Disa kohë pasi u vra Avni Elezaj persona edhe sot të panjohur ja vranë edhe babanë. Në kësi rrethanash u vra Besim Mala (Komandant “Murrizi”). Për vrasjen e tij ka indice se e kishte organizuar shërbimi sekret serb. Vetëm disa ditë para se të vritej në atentat, UNMIK-u, pa kurrfarë shkasi apo arsyetimi, ia kishte marrë lejen e armëmbajtjes dhe armën me leje që e posedonte. Oponentët e “Klanit të Zemunit” dhe të organizatave tjera ekstreme serbe të cilat monitoroheshin nga shërbimi sekret serb e që vepronin edhe në Kosovë, u përkrahën edhe nga strukturat e UNMIK-ut. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti, është duke e prezantuar programin…