Studentët e UP-së do të marrin pjesë në aktivitete të Qeverisë jashtë vendit

12 gusht 2019 | 11:35

Nga sot studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do të marrin pjesë në aktivitete të Qeverisë të Kosovës, ndërsa kjo e fundit do t’ju ofrojë mbështetje për pjesëmarrje në konferenca të ndryshe ndërkombëtare.

Lajmi është bërë me dije me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit në mes të Zyrës së Kryeministrit dhe Universitetit të Prishtinës – Parlamentit Studentor, për nder të 12 Gushtit, Ditës Botërore të Rinisë.

Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re, Avdullah Hasani, ka thënë se ky memorandum ishte i domosdoshëm për të dyja palët, pasi nëpërmjet tij studentët bëhen pjesë e aktiviteteve të Qeverisë.

“Qeveria e Kosovës zotohet se do të përkrahë të rinjtë në samite ndërkombëtare, do të përkrahë zhvillimin e aktiviteteve, kampanjave dhe fushatave sensibilizuese. Uroj që viti i ardhshëm të na gjejë duke lëvizur lirshëm në Evropë”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, kryetari i Parlamentit Studentor, Edon Nishori, ka bërë me dije pikat për të cilat kanë rënë dakord me Zyrën e Kryeministrit.

“Thelbësore është edhe krijimi i bibliotekave të zhurmshme në UP, ku studentët të mund të kryejnë të gjitha punimet seminarike, prezantimet duke mos dalë përtej këtij kampusi”, është shprehur Nishori. /KosovaPress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot janë bërë 18 vjet nga masakra e Lubotenit, kur…