Subjektet politike ta kenë prioritet adresimin e çështjes së gjinekologut në nivel lokal

18 shtator 2019 | 17:21

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur të mërkurën tryezë lidhur me mungesën e shërbimeve të gjinekologut në disa prej komunave të Kosovës. Në këtë tryezë, pjesë e së cilës ishin kandidatë për deputetë nga subjektet politike, përfaqësues të autoriteteve lokale si dhe të shoqërisë civile, u konfirmua se mungesa e shërbimeve gjinekologjike në disa komuna është problem serioz i cili kërkon zgjidhje sa më të shpejtë.

Adelina Hasani nga KDI-ja ka prezantuar të dhënat nga terreni lidhur me mungesën e shërbimeve të gjinekologut në disa prej komunave të cilat kanë dalë si rezultat i takimeve me komunitetin në nivel lokal. “Mungesa e këtyre shërbimeve ka shkaktuar që shumë raste të përfundojnë me fatalitet. Shumë gra janë detyruar që të bëjnë lindje në rrugë si pasojë e distancës së madhe deri te qendra për të marrë shërbime të gjinekologut”, u shpreh ajo.

Hasani ka përmendur se në mungesë të këtyre shërbimeve në Qendrat e Mjekësisë Familjare gratë detyrohen që kontrollet t’i bëjnë në klinika private. Ajo ka theksuar se në Komunën e Kamenicës dhe të Dragashit kjo situatë paraqitet si më e rëndë.

Agim Çaka, kandidat për deputetët nga koalicioni Nisma-AKR-PD, u shpreh se mungesa e gjinekologut në Kaçanik paraqet problem të madh dhe është e domosdoshme që të ketë gjinekolog. “Këtu kemi të bëjmë në minimum me dy jetë, është një çështje mjaft serioze që duhet të merremi. Aty ku paraqiten problemet ligjore duhet të intervenohet dhe të zgjidhet ky problem”, ka theksuar ai.

Arben Vitia, kandidat për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se deri më tani nuk është punuar për stimulimin e qendrave të mjekësisë familjare që të ofrojnë shërbime bazike gjinekologjike”. Ai ka thënë se shumë gjinekologë refuzojnë të punojnë në nivelin lokal dhe synojnë QKUK-në, pasi mundësia për ngritje të karrierës është më e madhe. Ai përmendi nevojën për qartësimin e sistemit të referimit për përditësimin e legjislacionit.

Besa Baftiu, kandidate për deputete nga koalicioni AAK/PSD, theksoi se ato QKMF që  kanë maternitet ligjërisht mund të kenë gjinekologun dhe pediatrin por, sipas saj, një gjë e tillë nuk është bërë në shumicën e komunave. “Në Kamenicë ka pasur përpjekjeje që ky problem të zgjidhet, por që në dy-tri raste konkurset kanë dështuar për shkak se nuk ka pasur gjinekolog që ka aplikuar”, u shpreh Baftiu.

Iliri Kurtishi, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se QKMF-të së paku duhet të kenë gjinekolog dhe pediatër. Ai ka thënë se komunat duhet të investojnë në specializimin e gjinekologut, ku më pas ata të jenë të detyruar të punojnë në QKMF-të përkatëse.

Ndërsa Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili, po ashtu, garon në listën për deputetë, tha se zgjidhja e këtij problemi mund të bëhet duke filluar nga aspekti i politikëbërjes, planifikimi i resurseve humane në gjinekologji, duke marrë shembull edhe nga shtetet e rajonit krijimin e ekipeve mobile.

Pjesë e këtij diskutimi ishin edhe pjesëmarrës nga shoqëria civile dhe zyrtarë komunalë, të cilët folën për problemet që po shkakton mungesa e shërbimeve të gjinekologut. Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së institucioneve lokale në Kosovë”, projekt ky i mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pala mbrojtëse e të dënuarve në rastin e Kumanovës ka…